Shendet

Dita botërore e HIV/AIDS, 119 raste të reja deri në tetor 2024 dhe 15 viktima në Shqipëri

Gazeta Si - Gjithsej 31 vite nga identifikimi i pacientit të parë me HIV/AIDS, Shqipëria numëron raste të reja vit pas viti, duke u shndërruar nga një vend importues i sëmundjes në vend endemik ku virusi qarkullon lirisht brenda territorit.

Në ditën botërore të luftës ndaj sëmundjes që konsiderohet sëmundja e shekullit, numri i të prekurve me HIV për vitin 2024 në Shqipëri raportohet se është 119, nga 113 që u deklaruan vitin e kaluar.

Por teksa duket sikur rritja e shifrave të reja është jo e lartë, numri i vdekjeve është rritur tek pacientët e rinj të prekur këtë vit.

Sipas të dhënave që ka siguruar ‘GazetaSI’, për vitin 2024 janë 15 vdekje tek personat e prekur me HIV, ku 7 prej tyre janë vdekje tek rastet e reja të identifikuar për vitin 2024.

Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se, nga 119 rastet e reja, 89 prej pacientëve të identifikuar me HIV/AIDS janë meshkuj dhe 30 janë femra.

Aktualisht në qendrën spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, në spitalin infektiv trajtohen 916 persona me retroviralë, medikamente që përfshihen në terapinë e mjekimit për virusin HIV.

Nga totalim 900 janë të rritur dhe 16 pacientë janë fëmijë që marrin mjekim në QSUT. Në harkun kohor 1993-2024, në Shqipëri janë identifikuar 1844 raste, nga të cilët 1339 meshkul dhe 505 femra.

Sipas të dhënave në 31 vjet,  të rinjtë 16-24 vjeç raporton 178 raste dhe 1610 raste me HIV/AIDS mes  të rriturve.

Deri në vitin 2024, raportohen për 358 të vdekur mes pacientëve me HIV/AIDS. Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit të HIV AIDS dhe parashikimet deri në vitin 2030 janë për 0 infektime nga HIV/AIDS.

Mënyra më e shpeshtë e transmetimit është rruga seksuale, 95% ë rasteve kësaj rruge, 72% rrugës heteroseksuale dhe 23% e rasteve i përkasin transmetimit të meshkujve që kryejnë seks me meshkujt.

Sic shihet nga rastet ndër vite, sëmundja e HIV/AIDS në Shqipëri ka prekur më shumë meshkujt, duke mbajtur një raport 70 me 30 në raport me femrat.

Sipas specialistëve të shëndetit publik, vonesa në testime ka rritur statistikat e të prekurve të cilët paraqiten në sistemin shëndetësor në stade të avancuara.

Kjo shpjegon dhe një nga të dhënat mbi vdekjet për vitin 2024, ku 7 pacientë të identifikuar këtë vit kanë vdekur nga HIV/AIDS.

Testimi për HIV është i disponueshëm në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar (QKTV), Klinikën Ambulatore në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, Laboratorin e Mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, SUSM “Shefqet Ndroqi”, SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koco Gliozheni”, Spitalet Rajonale, laboratorët/klinika/spitale dhe në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP). Për dhuruesit e gjakut testimi për HIV dhe agjentë të tjerë infektiv kryhet pranë Qendrës Kombëtare të Trasfuzionit të gjakut.

 Por duket se testimet vullnetare kanë rënë pasi identifikimini i rasteve të reja vijon të bëhet në spital, ku pacientët janë paraqitur me probleme shëndetësore.

Gripi shkakton komplikacione të rënda tek pacientët me HIV/AIDS cka bën që ata ti drejtohen QSUT për trajtim të specializuar.

Mjekët infeksionistë thonë se në shumicën e rasteve të reja me HIV/AIDS, pacientët kanë qenë shtruar më herët në spitalin infektiv me komplikacione të gripit apo virozave të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë