Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur sot urimin për gazetarët shqiptarë me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit. Duka thekson se futbolli është loja jonë e përbashkët dhe duhet mbështetur nga të gjithë.
Ndër të tjera kreu i qeverisë së futbollit shqiptar inkurajon gazetarët sportivë që të vazhdojnë punën e tyre të palodhur për informimin e opinionit publik dhe njëkohësisht i fton të japin kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e futbollit shqiptar.
“’Media si pushteti i katërt ka një rëndësi shumë të madhe për shoqërinë shqiptare dhe për informimin e opinionit publik. Dua të vlerësoj përkushtimin dhe kontributin e gazetarëve sportivë në Shqipëri ndër vite, veçanërisht përgjatë tranzicionit të 30 viteve të fundit. Sporti i futbollit sjell kënaqësi e emocione dhe janë gazetarët ata që ua transmetojnë këto emocione shqiptarëve. Jeni ju që e sillni botën e sportit dhe veçanërisht atë të futbollit më pranë sportdashësve shqiptarë me raportimet tuaja të përditshme’’, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.