Nga Gazeta ‘Si’- Në një kohë kur bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten pezull për shkak të sulmeve izraelite në Liban, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se pikat e marrëveshjes do të diskutohen larg syrit të publikut.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump reagoi ashpër ndaj informacioneve që po qarkullojnë lidhur me negociatat, duke sulmuar burimet që, sipas tij, nuk kanë lidhje me procesin.
“Po dërgohen marrëveshje të shumta, lista dhe letra nga persona që nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me SHBA-në apo negociatat me Iranin dhe në shumë raste bëhet fjalë për mashtrues të vërtetë, sharlatanë dhe edhe më keq. Ata do të zbulohen shumë shpejt pas përfundimit të hetimit tonë federal,” shkroi ai.
Presidenti amerikan theksoi se ekziston vetëm një grup “pikash thelbësore” që pranohen nga Shtetet e Bashkuara dhe që do të jenë baza e diskutimeve.
“Ekziston vetëm një grup pikash që janë të pranueshme për SHBA-në dhe do t’i diskutojmë me dyer të mbyllura gjatë këtyre negociatave. Këto janë pikat mbi të cilat kemi rënë dakord për armëpushimin. Është diçka logjike dhe mund të anashkalohet lehtësisht,” shtoi ai.
Në të njëjtin reagim, Trump sulmoi edhe median amerikane, duke përmendur konkretisht CNN, për të cilën tha se ka publikuar lajme të rreme duke u bazuar në burime pa autoritet.
“Ngjan shumë me lajmet e rreme të CNN-it mbrëmë, që i dhanë vend kryesor një ‘burimi’ që nuk kishte asnjë autoritet apo kompetencë për të shkruar një letër me të cilën pretendonte pushtet të madh,” përfundoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje