Gazeta Si – Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade prezantoi raportin mbi Kosovën. Gjatë fjalës së saj ajo bëri thirrje që të dyja palët të përmbahen nga retorika nxitëse.
Ziade tha se “liderët duhet të marrin hapa të përgjegjshëm për t’i zvogëluar gjasat për ngecje në çështjet që kanë degraduar besimin publik gjatë muajve të fundit”. Ajo përmendi si shembuj tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bojkotimit e zgjedhjeve të së dielës, 23 prill, nga serbët.
Por në këtë tryezë të nivelit të lartë, që kësaj here drejtohej nga Rusia, nuk kanë munguar përplasjet, pasi aty folën dy ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Kosovës, Ivica Daçic dhe Donika Gërvalla. Fillimisht Daçiç u lejua të flasë në gjuhën serbe, por kryediplomatja shqiptare nuk u la për të folur në gjuhën shqipe dhe u detyrua të mbante qëndrimin në gjuhën angleze.

Zëvendëskryeministri serb dhe shefi i diplomacisë, Ivica Daçiç, tha se Bashkimi i Komunave Serbe duhet të formohet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse është i vetmi mekanizëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së komunitetit serb në Kosovë e Metohi.
Ai shtoi se, duke marrë parasysh gjithçka që është bërë deri më tani, “Ne jemi të sigurtë që Kurti nuk do të përmbushë marrëveshjen, sepse qëllimi i tij është të dëbojë serbët. Është e nevojshme të sigurohet një jetë dinjitoze për të gjithë popullin e Kosovës e Metohisë. Albin Kurti nuk do ta përmbushë kurrë obligimin për formimin e Asociacionit, sepse qëllimi i tij nuk është paqja dhe suksesi i dialogut, por dëbimi i të gjithë serbëve nga Kosova dhe Metohia”.
Ndërsa vetë Gërvalla akuzoi Daçiçin për krime lufte, vrasje masive dhe përdhunime gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ivica Daçiç, tani ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, është përgjegjës për vrasje masive, dhunim si armë e luftës dhe krime lufte. Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte… Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ishte dora e djathtë e kasapit të Ballkanit, Millosheviç”, – tha kryediplomatja.
Ajo shpotiti edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiçc si njeriu i propagandës së Milosheviçit. “Presidenti Vuçiç ishte ministër i propagandës për kryetarin Millosheviç dhe ai ende po vepron si ministër i propagandës. Njeriu i dorës së djathtë apo i kasapit të Ballkanit, që është përgjegjës për luftërat e Ballkanit, është personi që sapo foli para nesh. Ky ka shumë gabime në duart e tij. S’ka pasur fjalë të keqardhjes, në vend të kësaj ka përbuzje të viktimave”, – tha Gërvalla.
Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, ka kundërshtuar deklaratat e ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya, që tha se nuk është e vërtetë se ministres së Jashtme të Kosovës iu mohua t’i adresohej Këshillit të Sigurimit në gjuhën shqipe.
“Të thoni tash se është dashur të insistoni, edhe pse nuk e di se sa herë duhet të insistohet, është çmenduri. Ne falënderojmë zv.kryeministren e Kosovës, znj.Gërvalla-Schëarz, për mirëkuptimin dhe respektin që tregoi ndaj Këshillit, duke mos e futur në pozitë të vështirë për të votuar për një çështje të tillë. Kjo është e vërteta e vetme”, – tha Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




