Futboll

Disiplina toleron sërish dhunën në stadiume, mjaftohet vetëm me gjoba modeste

Gazeta Si – Rastet e dhunës në stadiumet tona vazhdojnë të shfaqen thuajse çdo fundjavë, megjithatë Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF vazhdon të tregohet shumë i butë, duke u mjaftuar vetëm me gjobat.

Rasti i fundit ishte ai në ndeshjen Kastrioti-Tirana, ku Gjumsi i ekipit kryeqytetas u godit në kokë me një send të fortë të hedhur nga tribuna. Dhe përsëri kjo ngjarje është kaluar me një gjobë 100.000-lekëshe nga Disiplina. Kështu bëri edhe kur arbitri Enea Jorgji u godit në stadiumin e Rrogozhinës dhe po ashtu kur një arbitër anësor u godit me gur në kokë në stadiumin e Korçës.

Nga dhuna në ndeshjen Kastrioti-Tirana. Gazeta Si, 23 shkurt 2022

Këtë radhë, për dhunën e ndeshjes së Kamzës, ku luajtën Kastrioti dhe Tirana, është gjobitur edhe klubi kryeqytetas po me 100 mijë lekë, edhe pse një nga lojtarët e tij ishte viktimë.

Vendimet kryesore të Disiplinës
Zyrtari i Skënderbeut, Gentjan Liçi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, me gjeste dhe fjalë ofenduese, dënohet me 2 ndeshje pezullim.
Kastrioti, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.
Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë