Futboll

Disiplina gjobit Partizanin dhe Tiranën, 4 ndeshje pa tifozë për Skënderbeun

Gazeta Si – Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, edhe pse këtë herë e ka shtuar pak dozën e dënimit, vazhdon të tregohet i butë karshi klubeve të Superiores, pavarësisht se në stadiume vazhdon hedhja e sendeve në fushë dhe goditja e arbitrave.

Tirana dhe Partizani janë gjobitur për problemet që krijuan gjatë derbit tifozët e tyre. Tirana është gjobitur me 100 mijë lekë, kurse Partizanin me dyfishin, 200 mijë lekë. Gjobë ka marrë edhe Egnatia për të njëjtën arsye, për hedhje sendesh në fushë gjatë ndeshjes me Teutën.

Moment nga derbi, kur hidhen shashka ne fushe. Gazeta Si, 11 mars 2022

Stadiumi i Korçës do të jetë pa spektatorë për 4 ndeshjet e radhës të Skënderbeut, pas vendimit të fundit të Disiplinës. Në ndeshjen e fundit me Dinamon, për herë të tretë radhazi u godit një nga arbitrat anësorë, prandaj dhe nga Disiplina ka ardhur dënimi me 4 ndeshje pa tifozë.

Vendimet kryesore të Disiplinës dhe Etikës
Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë dhe urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë dhe urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv dhe duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, dënohet me 4 ndeshje pa spektatorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë