Politike

Disfata në 5 bashkitë, Salianji kritik: PD zgjodhi rehatinë në vend të përballjes

Nga Gazeta ‘Si’– Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji është shprehur kritik ndaj Partisë Demokratike për humbjen e thellë që pësoi në zgjedhjet që u mbajtën në 5 bashkitë e vendit një ditë më parë.

Në një reagim në rrjete sociale, Salianji drejton gishtin nga qeveria, por gjithashtu bën fajtore edhe partinë e tij, teksa thotë se që prej 11 majit “nuk është në rrugën e duhur”.

Ai shpreh keqardhje për faktin se PD-ja zgjodhi rehatinë duke mbështetur kandidatë të pavarur, dhe shton se me të drejtë demokratët i gjykojnë.

Ai e cilëson si një gabim vendimin për të mos dalë me kandidatë politikë, dhe se sipas tij, pjesëmarrja e ulët në votim ishte një mesazh i qartë për PD-në që duhet të ndryshojë.

“Miliona shqiptarë na gjykojnë jo vetëm për pafuqinë, por edhe për vendimet e gabuara strategjike, që e kanë lënë vendin në duart e një autokrati që luan me jetët e njerëzve si t’i teket. Shqiptarët ndjejnë përditë dhunën, represionin, arrogancën, korrupsionin masiv, prepotencën, gjobat, shembjet dhe burgosjet. Ka ardhur koha të ndryshojmë! Mundësisht sot, jo nesër!

Raporti i OSCE-ODIHR doli, afera në Llogara tregoi korrupsionin gjigand, dhe mosdalja e qytetarëve në votim është një mesazh i qartë: Partia Demokratike duhet të ndryshojë, ne duhet ta lexojmë, ta themi e më pas të ndryshojmë realitetin! Çdo orë e vonuar është karburant për autokratin.”, shkruan mes të tjerash Salianji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë