Gazeta Si – Po të lexosh me kujdes deklaratën e trajnerit Silvinjo pas ndeshjes kupton se shqetësimi i tij nuk ishte thjesht humbja. Shqetësimi më i madh i tij ishte humbja e thellë, ndaj dhe e vuri theksin te dy golat e pësuar në fund.
Trajneri brazilian në çdo dalje të tij përmend shpirtin dhe zemrën, sepse e di shumë mirë që Kombëtarja jonë ka limite dhe vetëm duke qenë në maksimumin e saj, duke sakrifikuar në çdo moment, mund të arrijë diçka.
Disfata me Kilin tregoi qartë gjithë problematikën e momentit në radhët e kuqezinjve. Ishte një regres i dukshëm në lojë, në krahasim me ndeshjet kualifikuese, siç pohoi pas miqësores edhe specialisti i futbollit, Arjan Peço. Kuqezinjtë çeduan në çdo aspekt, në ato 90 minuta kishin një deficit të madh fizik, që është rrjedhojë e aktivizimit me klubet e tyre.
Në atë ndeshje Shqipëria regjistroi edhe një ‘rekord’ negativ: zero gjuajtje në portën kundërshtare. Portieri Bravo i Kilit preku vetëm topa që iu pasuan nga mbrojtësit e tij, apo ndonjë goditje këndi.
Manaj si titullar dhe Broja si zëvendësues nuk dhanë atë shkëndijën që prisnin të gjithë tifozët e Kombëtares. Kualiteti i tyre nuk vihet në diskutim, por asnjëri nuk e ka konfidencën që ka Sokol Cikalleshi me ekipin. Me kavajasin në fushë, manovra sulmuese duket më e automatizuar. Megjithatë, duke qenë se Manaj dhe Broja riktheheshin pas një kohë të gjatë, është e pranueshme që të mos kishin ingranim të shpejtë me skuadrën.
Për t’u kthyer te shqetësimi i Silvinjos, problemi më i madh mes shumë problemeve që na tregoi Kili, është porta. Gola të pësuar me shumë bujari nga prapavija dhe mbi të gjithë një Tomas Strakosha komplet jashtë forme. Goli i tretë ishte ‘piktura’ më e qartë se çfarë ndodh kur nuk luan me klubin.
Nuk është njësoj të humbësh 1-0 dhe 3-0, prandaj dhe Silvinjo e evidentoi problemin e humbjes së përqendrimit në fundin e ndeshjes. Ai e di mirë se në Europian do të përballet me skuadra me nivel të lartë teknik, si Kili, ndaj dhe ndoshta kishte zgjedhur pikërisht këtë kundërshtar për të testuar të tijtë.
Mungesat nuk janë justifikim, por me Berishën titullar mund të ndryshojë diçka. Stabiliteti në portë dhe mbrojtje është baza, në aspektin teknik dhe atë moral. Deri në qershor ka kohë, por Kombëtarja jonë penalizohet jo pak nga fakti se asnjëri nga portierët e saj kryesorë nuk luan titullar me skuadrën e vet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.