Gazeta Si – Një pjesë e Tiranës ka mbetur pa furnizim me energji elektrike mbrëmjen e kësaj të hëne, pas një defekti në një linjë të rëndësishme të OST-së.
Sipas njoftimit të bërë nga OSHEE, avaria ka ndodhur në linjën 110kV që furnizon disa nënstacione kryesore, duke përfshirë zonat rreth Ali Demit, Freskut, ish-Uzina Autotraktorëve dhe Brrylin.
“Është shfaqur një problem në linjën 110kV të OST-së, e cila furnizon me energji disa nënstacione të qytetit, kryesisht zonat e përmendura më lart. Po punojmë ngushtë me stafet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për të gjetur zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftoi OSHEE.
Ndërkohë, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike siguron se disa institucione dhe zona kritike po furnizohen nga linja alternative, përmes skemës së quajtur “unazë”, e cila mundëson mbulimin e pjesshëm të nevojave të energjisë për të minimizuar ndërprerjet.
Ndërprerja e energjisë elektrike ndikoi edhe në aktivitete publike, përfshirë futbollin. Ndeshja Dinamo-Vllaznia, që po zhvillohej në stadiumin “Air Albania”, u detyrua të fillonte me 40 minuta vonesë për shkak të mungesës së energjisë, ndërsa organizatorët u përpoqën të menaxhonin situatën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



