Kosova

Diplomatët e huaj dënojnë dhunën ndaj KFOR-it. Vuçiç: Jo konflikt me NATO-n

Gazeta Si – Ambasadorët që përfaqësojnë disa nga shtetet e QUINT-it në Kosovë, kanë reaguar përmes llogarive të tyre në Twitter, prej ku kanë dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, teksa kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se BE-ja dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan.

“Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve”, ka shkruar ai.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në veri të vendit, duke thënë se situata duhet të shtensionohet menjëherë.

“Çdo veprim i dhunshëm ndaj KFOR-it dhe gazetarëve është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet tani – nevoja për të shtensionuar situatën është e menjëhershme”, shkroi Rohde në Twitter.

Ambasadori francez Olivier Guerot gjithashtu përmes një postimi në Twitter ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe ndaj gazetarëve nuk justifikohet dhe duhet të ndalojë, përderisa ka dhënë mbështetjen e plotë për trupat paqeruajtëse në Kosovë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa të menjëhershme për shtensionimin e situatës”, tha Guerot.

Edhe ambadaori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më herët gjatë ditës shkroi në një mesazh në Twitter se “SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër pjesëtarëve të KFOR-it”.

“Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, tha Hovenier.

Më herët, përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u bëri thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n. Ai bëri thirrje për protesta paqësore.

Vuçiç ka thënë se ushtarët e KFOR-it duhet që të mbrojnë serbët dhe jo kryetarët e komunave të zgjedhur ilegalisht.

“Unë po kërkoj nga serbët në Kosovë që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n, jo se ne kemi frikë, por se këtë gjë e dëshiron më së shumti Albin Kurti. Le të protestojnë në mënyrë paqësore, sepse kur serbët i kundërshtojnë pushtuesit shqiptarë në mënyrë paqësore, atëherë askush nuk mund t’i nënshtrojë”.

Sipas Presidentit serb, janë gjithsej 52 serbë të plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë në spitalin e Mitrovicës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë