Gazeta Si – Diogo Santos ka hedhur në gjyq ‘Electronic Arts’ për përdorim “të palejuar dhe abuziv” të imazhit të tij në FIFA. Futbollisti portugez akuzon: Mesit i japin 50 milionë!
Ndodh për herë të parë që një futbollist të hedhë në gjyq FIFA-n. Gjikthçka vjen për shkak të përdorimit abuziv të imazhit të Diogo Santos në videolojërat e serisë së FIFA-s.
Padia është depozituar në gjykatën e Bragës. Santos kërkon një dëmshpërblim prej më shumë se 53.900 eurosh për dëm pronësie dhe jo vetëm. Përdorimi i paautorizuar është bërë në FIFA 19 dhe FIFA Manager 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, siç shpjegon akuza.

Santos ka lindur në Vila Franca de Xira. Sezonin e fundit ka luajtur me FC Felgueiras, ndërsa në të kaluarën është aktivizuar tek Academico de Viseu, Santa Clara, Amalicão, Oliveirense, Arouca dhe Gil Vicente. 37-vjeçari ka luajtur edhe në Rumani me Brasov.
Avokatët e tij kanë pohuar për “Ojogo” se Diogo Santos e dinte se ‘Electronic Arts’ do ta shpërblente, si në rastin e Mesit, që përfiton 50 milionë dollarë për t’u shfaqur në këto lojëra. Portugezi ka saktësuar se nuk pretendon të përfitojë sa Lionel Mesi, por një shifër modeste.
Gjyqi është hapur në Braga, në shtator të 2021. Në atë kohë kjo gjykatë u shpreh se nuk kishte kompetenca ndërkombëtare dhe e refuzoi çështjen. Pas një rekursi në ‘Supremo Tribunal de Justiça’, u qartësua se Braga mund të procedonte dhe gjyqi vazhdon.
Mundësitë për fitore te lojtarit iberik janë një çështje tjetër. ‘Electronic Arts’ është autorizuar të përdorë të dhënat dhe imazhet e lojtarëve nga licenca FIFPro, sindikata ndërkombëtare e futrbollistëve.
Një iniciativë si e Diogo Santos është marrë më parë nga Ibrahimoviç, Bejl dhe agjenti Mino Raiola. Ata akuzuan vite më parë ‘EA Sports’ se përdor në mënyrë të paligjshme imazhet e lojtarëve në videolojërat e veta. Në atë kohë çështja nuk shkoi në gjyq.
Nëse procesi, i pari ndaj FIFA-s, do të ketë një përfundim ndryshe, një faqe e re juridike mund të shkruhet në Portugali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




