Nga Gazeta ‘Si’- I dërguari special i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, pritet t’i thërrasë për takim në Bruksel kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, për të vazhduar diskutimet lidhur me çështjen e dinarit.
BE-ja konfirmon se takimi do të jetë javën e ardhshme, por data nuk është përcaktuar ende.
Bashkimi Evropian thekson se në këtë takim do të diskutohet për një zgjidhje të përkohshme për çështjet e shkaktuara nga BQK-ja, që palët të jenë të gatshme të angazhohen në propozimet e paraqitura na emisari Lajçak.
“Ndërmjetësuesi i BE-së planifikon të thërrasë një takim tjetër javën e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar një zgjidhje të përkohshme të çështjeve të shkaktuara nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës, me kusht që palët të jenë të gatshme të angazhohen në bazë të ideve të paraqitura nga ndërmjetësuesi i BE-së”, tha një zëdhënës i BE-së.
Të enjten e 4 prillit ishte takimi i fundit në Bruksel për çështjen e dinarit, e që përfundoi pa marrëveshje.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas takimit të enjten e kaluar, tha se pala kosovare është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së sa i përket çështjes së dinarit, por pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.
“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerrë një propozim të konsoliduar për të cilën ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve serb në Kosovë. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme të reflektojë këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi.
“Atyre iu është bërë e qartë që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis. Edhe sot kemi pasur dallime të mëdha, përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia. Pala serbe ka funksionuar si avokate e ‘Postanska bankës’ dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetente, as në interes të palëve të përfshira”, kishte deklaruar më tej Bislimi.
Në anën tjetër, Lajçaku tha pas takimit se pati përafrim të qëndrimeve mes propozimeve të palëve.
“Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter./ Zëri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




