Gazeta Si – Fitore bindëse e Partizanit, 1-3, në derbin me Dinamon. Kampionët në fuqi kanë bërë ligjin në ‘Elbasan Arena’, kanë shënuar 3 gola për 3 pikët që e afrojnë me vendin e parë, duke e çuar diferencën me Tiranën në vetëm 2 pikë.
Dinamo rezistoi gjatë pjesës së parë, që ishte gati e barabartë, me ndonjë rast sporadik në portat respektive. Vlen të përmendet loja e mirë e Eros Grezdës, shqetësues për mbrojtjen e bluve. Bintsouka zhbllokoi shifrat pak pas fillimit të pjesës së dytë.

Për golin e dytë do të mendonte Rrapaj, që me një gjuajtje potente nga jashtë zonës mposhti portierin Rexhepi. Reagimi i Dinamos mungoi dhe Da Silva, i aktivizuar si zëvendësues, shënoi edhe golin e tretë, pas një pasimi të Mba në zonë. Në shtesë, një penallti e akorduar nga kryesori Enea Jorgji solli golin e nderit për Dinamon, me autor Kaçorrin.
Partizani fiton ndoshta më thjeshtë nga sa mund ta kishte menduar dhe ngjitet në kuotën e 8 pikëve. Dinamo thellon krizën, me vetëm 3 pikë në 5 javë. Edhe pse kanë stafin teknik më të paguar në Superiore, blutë nuk po tregojnë asgjë në këtë kampionat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




