Futboll

Dinamo prek fundin, Teuta e përmbys me 3 gola. Largohet Di Biaxho: Nuk i bëhem barrë klubit

Gazeta Si – Dinamo City mbytet në rrebeshin e ‘Elbasan Arenës’. Skuadra kryeqytetase kryesonte 2-0 ndaj Teutës, por më pas ka pësuar 3 gola dhe ka dalë pa pikë në një ndeshje që e kishte në duart e saj. Kjo humbje 2-3 ka vulosur edhe largimin e trajnerit Luixhi Di Biaxho, që duket se nuk kishte më çfarë të jepte.

Italiani dha dorëheqjen pas humbjes, duke theksuar se nuk do që t'i bëhet barrë klubit: "Jam njeri i ndershëm dhe korrekt dhe i sinqertë. Jap dorëheqjen në respekt të një klubi të madh si Dinamo. E falenderoj klubin, ndoshta nuk kam mundur t'u përcjell lojtarëve gjithçka që di", - tha Di Biaxho.

Luis Kaçorri shënoi golin e parë të ndeshjes, duke çuar në rrjetë topin e kthyer nga shtylla, pas goditjes së Zabërgjës. Loja ishte me shumë raste nga të dyja skuadrat dhe me portierët Dema dhe Rexhepi protagonistë.

Trajneri Luixhi Di Biaxho rrezikon shume largimin nga Dinamo. Gazeta Si, 22 tetor 2023

Denison dyfishoi shifrat me një kundërsulm të shpejtë të Dinamos, por Teuta u rifut në lojë me golin e Peposhit, të anuluar fillimisht për pozicion jashtë loje dhe të konfirmuar më pas nga VAR-i. Po me VAR Teuta fitoi një penallti, që Fili e ktheu në gol dhe barazoi shifrat. Në minutën e 8-të shtesë durrsakët realizuan golin e fitores me Jazxhi.

Me Luixhi Di Biaxhon në krye Dinamo asnjëherë nuk ka bindur në fazën e parë dhe e ka mbyllur atë në vend të fundit, me vetëm 7 pikë në 9 ndeshje. Numrat flasin qartë, largimi i italianit ishte vetëm çështje kohe. Drejtimin e ekipit pritet ta marrë Dritan Mehmeti, i cili aktualisht drejton Dinamon U-19. Ai e njeh ambientin, pasi e ka drejtuar ekipin blu sezonin e fundit.

Kukësi arriti një fitore të rëndësishme në fushën e tij, ku ndali vurllin e Laçit të Mirel Josës. Kuksianët mundi 1-0 kurbinasit, duke lënë kështu vendin e fundit në tabelën e renditjes.

Java e 9-të e Superiores mbyllet të hënën me ndeshjet Tirana-Egnatia dhe Erzeni-Partizani. Të shtunën Vllaznia fitoi 0-2 në fushën e Skënderbeut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë