Futboll

Dinamo ndryshon me Mehmetin, mund Skënderbeun dhe fillon ngjitjen në tabelë

Gazeta Si – Pas barazimit në derbin me Tiranën, Dinamo ka marrë sot një trepikësh shumë të rëndësishëm ndaj Skënderbeut në ‘Elbasan Arena’, ku ka fituar 2-1 për javën e 11-të të Superiores. Duket se muzika ka ndryshuar te blutë me ndryshimin në stol, ku vendin e Luixhi Di Biaxhos e ka marrë Dritan Mehmeti.

Luis Kaçorri dhe Lorenco Vila shënuan golat e fitores për Dinamon, ndërsa për korçarët barazoi përkohësisht Ardit Nikaj. Të tre golat u shënuan që në pjesën e parë. Në të dytën kryeqytetasit u mbrojtën me kujdes dhe në fund iu gëzuan trepikëshit.

Dinamo është një nga klubet që ka investuar më shumë për këtë sezon, por faza e parë shkoi jashtë çdo parashikimi. Me Di Biaxhon në stol kjo skuadër mbeti në vend të fundit dhe ndryshimi ishte i pashmangshëm. Me 4 pikë në 2 ndeshjet e fundit duket se ‘Nëndetësja’ ka filluar ngjitjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë