Futboll

Dinamo merr 3 pikët e para të sezonit me shumë vuajtje, Egnatia ‘poker’ Erzenit

Gazeta Si – Kombëtarja ia ka lënë vendin kampionatit të Suepriores, që sot luajti dy nga ndeshjet e javës së 3-të të saj. Egnatia mundi 4-3 Erzenin dhe ka marrë përkohësisht vendin e parë, kurse Dinamo hasi shumë vështirësi për të kaluar Kukësin.

Në Rrogozhinë ishte një festival i vërtetë golash, me protagonist sulmuesin Duamena. Ai shënoi 3 herë në portën e shijakasve që në pjesën e parë, kurse goli i 4-t mban firmën e Zejnullait. Erzeni u përpoq ta rihapte ndeshjen, por vetëm sa ngushtoi diferencën deri në 4-3.

Dinamo City ka marrë 3 pikët e para të këtij kampionati, pas fitores 2-1 ndaj Kukësit në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Indrit Prodani ishte ‘heroi’ i bluve në këtë sfidë. Mbrojtësi, me shiritin e kapitenit në krah, shënoi 2 golat, të dytin në minutën e 11-të shtesë. Kukësi kishte barazuar 12 minuta para fundit me Salami.

Skuadra e Di Biaxhos vuajti në lojë, ndryshe nga dy javët e para, ku edhe pse nuk kishte marrë pikë, kishte bërë një lojë shumë më të mirë. Kukësi në anën tjetër mbetet në vend të fundit, me 0 pikë pas 3 javësh.
Superiorja vazhdon ditën e enjte me ndeshjet Tirana-Skënderbeu dhe Vllaznia-Partizani, kurse Laçi-Teuta luhet të premten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë