Nga Gazeta Si – Hera e dytë që brenda 3 vitesh Dinamo, e shumëpritura e Superiores, vjen me emrin e madh dhe me paraqitje mjaft të dobët. Nëse dy vite më parë u ngjit në Superiore dhe zbriti në fund të sezonit, edhe pse në pamje të parë dukej një investim serioz dhe me financa që nuk i mungonin, ajo që i mungonte me sa duket ishte serioziteti dhe niveli i lojtarëve, të paktën për të mos rënë nga kategoria.
Sot, dy vite më vonë, Dinamo vjen me një tjetër pompozitet, nga çudia për ta spostuar klubin historik në qytetin e Durrësit, te 3 biznesmenë të tjerë që i bashkohen aktualisht dhe me një sposor gjigand, në letër të paktën, siç është Durrës Yacht Marina.

‘Qershia mbi tortë’ është asistenca, edhe pse e jashtme, e Igli Tares, ish-drejtorit sportiv shqiptar të suksesshëm në Itali me Lacion, që te kryeqytetasit, ndërhyri me sjelljen e stafit teknik gjithashtu me shumë bujë, si ish-trajneri i kombëtares U-21 të Italisë, Luixhi di Biaxho dhe ish-mesfushori kuqezi, Ledjan Memushaj.
Stafi teknik më i shtrenjtë në Superiore, kur dëgjon se paga e tij është 15.000 euro në muaj, apo i gjithë stafi bashkë me asistentët shkon 30.000 euro në muaj. Asgjë larg realitetit të tyre, vijnë nga Italia dhe me një të shkuar të madhe në karrierën futbollistike, më pas ajo e trajningut ka vend për diskutim.
Por një staf i tillë i superpaguar si mund të merret vesh, apo kuptohet dhe t’i marrë frytet një skuadre, që 80% e saj është e njëjta që luante në Kategorinë e Parë, apo që paguhen jo më tepër se 2000 euro mesatarja?!
Vërtet futbolli nuk është shkencë ekzakte, por edhe disa rregulla bazike nuk mund të shkelen. Dhe ja ku kaluan 4 javë kampionat dhe Dinamo ka regjistruar një fitore dhe 3 humbje, me Tiranën, me Skënderbeun dhe së fundmi me Erzenin e Shijakut. Aktualisht, e ashtuquajtura “nëndetëse” është në zonën “play-out”, edhe pse jemi ende në fillim të sezonit.
Megjithatë, për t’u rikthyer te trajneri Di Biaxho, duket se vetëm emri i ka mbetur dhe që e mban në stol, pasi edhe në klubin e parë në Itali që e provoi, te Spal, nuk qëndroi më tepër se 5 muaj. Këtu ende nuk i ka bërë dy dhe e vetmja gjë pozitive është se në Itali me Spal në 15 ndeshje kishte një mesatare 0.33 pikë për ndeshje, ndërkohë në Shqipëri me 4 ndeshje ka një mesatare në rritje me 0.75 pikë për ndeshje.
Pak janë, por trendi mbetet në rritje, përveç Dinamos që ka hyrë në vitin e dytë të një epoke “sheike”, por me pak shpresë për t’u rikthyer ku të gjithë e shpresonin… në gjysmën e parë të klasifikimit!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




