Gazeta Si – Dinamo dhe Vllaznia barazuan sot 1-1 për llogari të javës së 7-të të Superiores. Ndeshja e luajtur në ‘Elbasan Arena’ ishte nën nivelin mesatar, me një paraqitje zhgënjyese nga të dyja këto skuadra, dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, që janë shquar për futbollin e bukur.

Pjesa e parë ishte pa raste, me frikën e të dyja skuadrave për të mos pësuar gol. Në fillim të pjesës së dytë Vllaznia fitoi një penallti, që Bekim Balaj e ktheu në gol. Dinamo u mundua të reagonte dhe ia doli të barazonte 7 minuta para fundit me Patrik Bardhin. Në momentin që skuadra e Di Biaxhos u hodh në sulm për golin e dytë, mbeti me 10 vetë, pas daljes me karton të kuq të Zabërgjës.
Vllaznia mban vendin e 4-t pas këtij barazimi, me 9 pikë, kurse Dinamo City vazhdon të qëndrojë në katet e poshtme të renditjes, me 7 pikë. Në tribunën e stadiumit të Elbasanit nuk ka munguar as këtë herë Igli Tare, ashtu si pak ditë më parë në Laç.
Kukësi mundi sot Erzenin 2-1. Java e 7-të e Superiores mbyllet të martën me ndeshjen mes Tiranës dhe Laçit. Renditja udhëhiqet nga Egnatia me 13 pikë, e ndjekur nga Skënderbeu me 12 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




