Futboll

Dinamo City rikthen Lavdinë, fiton Kupën e Shqipërisë

Kryeqyteti fiton trofeun e parë sezonal. Katër gola, kohë shtesë, 12 penallti. Në Egnatia-Dinamo City ndodhi gjithcka por në fund triumfuan blutë ndaj 2 herë fituesve në fuqi. Në “Final4”, në kupat e  Evropës dhe tani me trofeun e 14 të Kupës në historinë e klubit. Trofeu i parë i Presidentit Adrian Bardhi që tregoi durim në procesin e rindërtimit të një prej skuadrave më të mëdha në futbollin shqiptar.

Për të cilin ishte e nevojshme të kthehej një beniamin si Ilir Daja që pasi fitoi gjithcka në futbollin shqiptar dhe atë dardan, u kthye në shtëpi dhe brenda pak muajsh ja doli të shndërrojë një skuadër normale në një ekip ambicioz që nuk ka ndërmend të ndalet. Sa i përket kronikës, për blutë shënoi dy herë Itodo (në 17’ dhe 61’). Golat e tij u bënë të pavlefshëm nga Guindo (45’+3) dhe Bakayoko (90’+5). 

Në shtesë nuk ndryshoi asgjë në rezultat dhe skuadrat iu drejtuan ruletës së 11 metërshave. Për blutë shënuan Aliji, Qardaku, Teqja, Zabërgja dhe Dita (humbi vetëm Meksi). Për fituesit në fuqi shënuan Bakayoko, Ujka, Zejnullai dhe Xhemajli (humbën Aleksi dhe Jahaja). Portieri Teqja është heroi i Dinamo City-t që kthen trofeun e Kupës pas 22 viteve në shtëpi. Ndërsa nuk ka shumë kohë për festë pasi “Final4” në Kategorinë Superiore është në fundjavë. 

Fitueset e Kupës ndër vite
16 – Tirana
15 – Partizani
14 – Dinamo City/ Dinamo
8 – Vllaznia
4 – Flamurtari, Teuta/ Lokomotiva
2 – Besa, Laci, Kukësi, Egnatia, Elbasani/ Labinoti
1 – Skënderbeu, Apolonia 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë