Gazeta Si – Katër plumba janë lëshuar drejt gjyqtarit Astrit Kalaja, menjëherë pasi ai dha vendimin për një çështje pronësie, që ishte kundër familjes së autorit Elvis Shkambi.
I riu u vetëdorëzua në polici menjëherë pas ngjarjes, por para se të largohej nga gjykata dhe të vetëdorëzohej, e kishte lënë armën e krimit tek një punonjës i sigurisë.
Burime paraprake, bëjnë me dije se autori, Elvis Shkëmbi ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, ku në orën 14:00 kishte nisur një seancë për një çështje pronësie ku ai ishte palë.
Seanca ka vijuar normalisht, deri sa gjyqtari Kalaja u njoh me pretendimet e të dy palëve. Më pas, gjyqtari në fund ka dhënë vendim në favor të palës kundërshtare të Shkambit, të cilët mbëtën edhe ata të plagosur.
Pas përfundimit të seancës, të pranishmit kanë nisur të dalin nga salla, po ashtu edhe Kalaja për të shkuar në drejtim të korridorit të gjykatës, por Shkambi e ka qëlluar me pistoletë gjyqtarin menjëherë pas vendimit.
Pas krimit, autori i ka dorëzuar armën rojës së sigurisë së gjykatës dhe më pas u largua te oborri i gjykatës, ku ishte edhe patrulla e policisë që ndodhej jashtë godinës. Autori nuk ka bërë rezistencë dhe ka qëndruar në oborr deri sa policët i vendosën prangat.
Punonjësi i sigurisë është shoqëruar në polici dhe do të pyetet nga hetuesit për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja dhe pse nuk kontrolloi armën në momentin e marrjes.
Shkambi ka pranuar tashmë autorësinë e krimit, ndërsa mbetet e paqartë se si arriti që të futej brenda në sallë i armatosur, duke ngritur kështu alarmin për një dështim të masave të sigurisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë.
Para policisë, ai ka qëndruar i qetë dhe i pa penduar, duke pranuar autorësinë e krimit të rëndë me pretendimin se reagoi ndaj padrejtësisë së kryer.
Sipas tij familja e kishte trashëguar atë pronë, e cila në komunizëm u shtetëzua dhe bashkia ua ka kaluar dhjetëra familjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



