Bota

“Dimri i pakënaqësisë”, britanikët rrezikojnë të mbeten pa benzinë

Britania e Madhe do të gjunjëzohet nga goditja e dyfishtë e Brexit-it dhe pandemisë: së fundmi është arritur deri aty sa të rrezikohet mungesa e benzinës, me kompaninë BP të detyruar të mbyllë disa pika shpërndarjeje dhe të kufizojë furnizimet për të gjithë të tjerët.

E njëjta gjë po ndodh edhe në pikat e shitjes “Esso”. Është një krizë që i shtohet asaj të supermarketeve, ku deri tani, shpesh raftet e produkteve të freskëta janë të zbrazëta.

E gjithë kjo është shkaktuar nga mungesa e kamionistëve, e cila ka dërguar rrjetet e furnizimit në vështirësi: 100,000 nga 600,000 mungojnë, pasi shumë prej tyre, me origjinë evropiane, janë larguar për shkak të Covid dhe kufizimeve të vendosura pasi Londra u largua nga Bashkimi Evropian.

Shoqata e punonjësve të stacionit të karburantit, këshilloi shoferët që gjithmonë të udhëtojnë me një të katërtën e një rezervuari të plotë, për të shmangur ndonjë situatë të pakëndshme.

Dhe ndërkohë, qeveria po studion hipotezën e ushtrisë që të ndërhyjë dhe të vendosë ushtarët në krye të cisternave: por ndërkohë i ka kërkuar publikut që të mos bjerë në panik dhe të mos sulmojë pikat e shpërndarjes për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Por frika nga ngutja e grumbullimit, prek edhe supermarketet, ku situata, sipas shoqatave të sektorit, është "në buzë të greminës": në Londër ka rafte bosh, veçanërisht të produkteve të freskëta, si qumështi, buka dhe perimet . Frika tani është se kriza do të vazhdojë deri në Krishtlindje, duke prishur pushimet për britanikët.

Ka shumë kërkesa që qeveria të prezantojë një procedurë të përshpejtuar të vizave për shoferët e kamionëve dhe sektorët e tjerë kryesorë, në mënyrë që të jetë në gjendje të kthehet në rekrutimin e punëtorëve evropianë të shkëputur nga Brexit: dhe paradoksi është se masa është evokuar edhe nga disa politikanë pro-divorcit nga BE, të cilët kishin luftuar aq shumë për të mbyllur dyert në Evropë.

Por për qeverinë Johnson, do të ishte një kthesë totale, pasi këmbënguli në nevojën për të punësuar britanikët në vend që të kërkonte krahë pune të lirë nga Evropa.

Shumë sektorë po vuajnë pas shtrëngimit të emigracionit pas Brexit: në Londër, restorantet dhe klubet po përpiqen të gjejnë staf, i cili deri më tani përfaqësohej ekskluzivisht nga të rinjtë evropianë.

Dhe kështu, pothuajse kudo, mund të shihen njoftime që ofrojnë vende pune. Një dinamikë që po rrit pagat dhe po ashtu inflacionin, i nxitur gjithashtu nga rritja e çmimeve të energjisë.

Me pak fjalë, një stuhi e përsosur po bie mbi Britaninë e Madhe: dhe gazetat po njoftojnë me zë të lartë se "dimri i pakënaqësisë" po vjen.

Lajm i keq për Boris Johnson, i cili pasi kishte arritur ta linte pandeminë në mënyrë të konsiderueshme prapa, po përgatitej të rifillonte punën e tij me një program ambicioz reformash që synonte "ringritjen" e kombit.

Por tani qeveria e tij rrezikon të përfundojë në vorbullën e një krize që do të fundoste një popullaritet tashmë të pasigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë