“Politikanët e Ballkanit Perëndimor duhet të sakrifikojnë veten për të ardhmen e vendit të tyre". Kjo ishte deklarata e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë një intervistë të dhënë disa ditë më parë, ku shprehej se rajoni është tanimë në një luftë të hapur mes të kaluarës dhe të ardhmes. Nikola Dimitrov thekson ndër të tjera se referendumi për marrëveshjen me Greqinë është një moment historik që do të përcaktojë rrugën europiane të Maqedonisë. Në një interviste me “Europian Western Ballkans” ai shprehet se rajoni përballet me një sërë sfidash të brendshme dhe të jashtme, të cilat do të tejkalohen vetëm duke bërë të mundur “europianizimin” e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë në një sondazh të realizuar kohët e fundit shumica e qytetarëve maqedonas janë shprehur pro marrëveshjesh me Greqinë. Në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO, me pranimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, 41.5 për qind e të anketuarve u përgjigjën me “Po”, ndërsa 35.1 për qind ishin kundër marrëveshjes. Sipas sondazhit, i cili është zhvilluar nga 24 korriku deri në 1 gusht, 66.4 për qind e të anketuarve thanë se do shkonin në referendumin e planifikuar për më 30 shtator në Maqedoni, aty ku vota e elektoratit pritet të vulosë ose jo marrëveshjen meqë i jep një emër të ri Maqedonisë: Republika e Maqedonisë Veriore.
Arritja e marrëveshjes së emrit me Greqinë ishte padyshim një përparim i madh për Maqedoninë. Si është e mundur që qeveria juaj arriti marrëveshjen brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që qeveritë e mëparshme nuk mund ta zgjidhnin këtë çështje për më shumë se dy dekada?
Para së gjithash, duhet dy persona për të kërcyer tango, apo jo. Merita më e madhe i shkon Greqisë dhe lidershipit grek, së bashku me Maqedoninë dhe udhëheqësit tanë. Maqedonia është bërë me e matur edhe më shumë duke kaluar nga njëra krizë në tjetrën. Ne kemi provuar disa herë të zgjidhnim problemet e së kaluarës, por nuk ia kemi dalë. Dështuam duke fajësuar njëri-tjetrin. Ne nuk mund të ishim nga njëra anë në konflikt të hapur me Greqinë dhe të luftonin nga ana tjetër për t'u bashkuar me NATO-n dhe për të filluar udhëtimin drejt BE-së, sepse bashkimi me NATO-n familjen e madhe europiane do të thotë se në atë ardhmen fqinjët tanë do të jenë aleatët tanë. Mënyra më e mirë për të bashkëpunuar është përmes diskutimeve, duke kuptuar shqetësimet e tjetrit dhe duke e imagjinuar vetën në këpucët e njëri-tjetrit. Në fund arritëm të gjejmë një kompromis që ishte i pranueshëm nga të dyja palët. Kjo marrëveshje ka potencial të madh jo vetëm në aspektin e aspiratës tonë euro-atlantike, por edhe në bashkëpunimin dypalësh me Greqinë. Dhe nuk ka asgjë më të natyrshme që fqinjët të jenë mbështetësit tanë më të mëdhenj. Mendoj se ky është suksesi më i madh që kemi arritur në debatin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg, ku edhe Greqia dhe Bullgaria argumentuan në favor të pranimit të Maqedonisë në familjen europiane.
Çfarë gjurmësh mendoni se do të lërë shembulli i Maqedonisë në Ballkanin Perëndimor? A mendoni se ajo që ka ndodhur në Maqedoni mund të ketë ndikim në rajon?
Ndoshta kjo do t’i nxisë të tjerët të përballen me problemet ndër-etnike. Unë mendoj se kemi humbur vite dhe dekada të tëra ose duke injoruar ose duke mos i dhënë përparësi zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe. Është koha të jemi më mendjehapur. Ne po humbasim luftën me kalimin e kohës. Të rinjtë po largohen, problemi me ikjen e profesionistëve është fenomen rajonal dhe e vetmja mënyrë për ta trajtuar është të mendojmë se ku duam të jenë vendet tona 10 vjet më vonë. Dhe nëse kjo do të thotë sakrificë politike atëherë kështu qoftë. Ndoshta roli i brezit tonë të politikanëve është të sakrifikojnë veten për këto rezoluta. Dhe mendoj, se nga perspektiva historike, ne do të gjykohemi pozitivisht nga populli.
A jeni i kënaqur me faktin se Këshilli i Europës miratoi hapjen e negociatave në qershor të vitit të ardhshëm? Apo kishit shpresuar për shumë më tepër se kaq?
Në thelb rruga për nisjen e bisedimeve të pranimit në qershor të 2019-ës, është e hapur, të paktën kjo është ajo që miratoi Këshilli Europian. Problemi ynë është se ne kemi humbur shumë mundësi duke pritur në stacion. Trenat kanë kaluar, dhe tanimë udhëtimi që na pret është më i vështiri, sepse ideja e zgjerimit nuk mbështetet nga vendet anëtare. BE-ja është e zënë me problemet e brendshme, duke filluar nga Eurozona, Brexit dhe kriza e emigrantëve, e cila është gjithashtu një krizë solidariteti. Pra, situata e tanishme është më komplekse dhe më e vështirë sesa ka qenë. Procesi i pranimit është më i ngurtë, më i rreptë dhe më i gjatë. Pra, duhet të përballemi me këtë realitet dhe të bëjmë atë që mundemi. Ne duhet t'i bindim të gjithë se “europianizimi” i Ballkanin Perëndimor është më pak i kushtueshëm sesa injorimi i tij.
Cilat janë pritshmëritë tuaja lidhur me pranimin në NATO? A mendoni se kjo mund të ndodhë së shpejti? A mund të anëtarësohet Maqedonia në NATO vitin e ardhshëm?
Anëtarësimi në NATO lidhet gjithashtu me përmbushjen e detyrimeve tona nga marrëveshja dypalëshe me Greqinë. Ne kemi një referendum për të fituar. Sapo të finalizohet kjo, do të jemi në gjendje të nënshkruajmë protokollin e pranimit në NATO. Më pas ai do të ratifikohet nga parlamenti i Athinës dhe i shteteve të tjera anëtare. Pra, nëse gjërat shkojnë mirë, anëtarësimi është çështje muajsh. Ndoshta në mesin e vitit të ardhshëm ne do të jemi zyrtarisht shteti i tridhjetë i NATO-s.
Cilat janë pritshmëritë tuaja lidhur me referendumin? Duket se gjithçka varet nga suksesi i tij, apo jo?
Do të jem shumë i hapur, mendoj se njerëzit do ta mbështesin marrëveshjen, sepse ajo mbron aspektin më të ndjeshëm të popullit tonë: kush jemi dhe çfarë gjuhe flasim. Ne jemi maqedonas dhe flasim gjuhën maqedonase. Ne kemi arritur të gjejmë një mënyrë për të dalluar trashëgiminë kulturore dhe atë që nënkupton fjala “maqedonas” në Maqedoni dhe që nënkupton ky term në Greqi. Në shumë mënyra kjo marrëveshje ishte fundi i një epoke plot sfida dhe pikëpyetje për maqedonasit. Një nga problemet me të cilat po përballemi është përditësimi i listave zgjedhore. Ne kemi formalisht 1.8 milionë votues, por numri i qytetarëve që jetojnë aktualisht në vend është më i vogël. Mënyra sesi opozita do të përdorë këtë fakt, do të përcaktojë edhe sfidën me të cilën do të përballemi në të ardhmen. Nëse ata do ta shohin këtë referendum si një mundësi historike dhe të mendojnë më shumë për vendin dhe më pak për të ardhmen politike, atëherë votimi do të jetë shumë i suksesshëm. Ne do të bëjmë çmos për të arritur tek njerëzit dhe t'i mbajmë të lidhur pas kësaj marrëveshjeje. Kjo është një luftë midis së kaluarës dhe së ardhmes. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por shpresojmë të mund të formësojmë të ardhmen tonë.
A ka qeveria juaj një strategji rezervë nëse referendumi dështon? Çfarë do të thotë kjo për të gjithë rrugën euro-atlantike të Maqedonisë?
Ne jemi të fokusuar tek fitorja. Do të mendojmë pozitivisht dhe të përqendrohemi tek “plani A”. Ne kemi një kryeministër që është përfshirë plotësisht në këtë çështje. Unë nuk mendoj se qëllimi është të qëndrojmë pushtet. Ne kemi ndërmarrë një mision të madh për vendin. Po përpiqemi të zgjidhim çësthje që nuk janë zgjidhur gjatë 20 viteve të fundit. Kjo është një sfidë me vete dhe nuk kemi kohë për të humbur. Dritarja e mundësisë mund të mbyllet. Nuk e dimë se çfarë do të sjellin zgjedhjet europiane majin e ardhshëm, cilat institucione do të kemi në Bruksel dhe çfarë do të thotë kjo për Ballkanin. Kjo është arsyeja pse nuk duhet të humbim kohë.
Shumë u tronditën kur disa vende anëtare të BE-së, para së gjithash Franca dhe Holanda, donin të parandalonin hapjen e negociatave me Maqedoninë, edhe pas të gjitha reformave dhe avancimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe. A jeni i shqetësuar për perspektivën e integrimit evropian për të gjithë rajonin?
Të gjithë ne së bashku në Ballkan duhet t'i bindim ata se BE-ja është e ardhmja jonë. Qëllimi ynë përfundimtar nuk është të bashkohemi me BE-në, por t'i bëjmë vendet tona europiane. Dhe sa më shumë ta bëjmë ketë, aq edhe më të qëndrueshëm do të jemi. Ne jetojmë në një mjedis kompleks, bota nuk është më një vend i sigurt, Europa është e zënë me problemet e saj. Në një botë ideale, ne duhet të kishim filluar bisedimet e pranimit këtë vit, ndoshta në dhjetor. Por në këto rrethana të vështira na është dhënë një mundësi e madhe në qershor të 2019-ës dhe ne synojmë ta shfrytëzojmë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.