Bota

‘Dilni nga shtëpitë dhe mbyllni gazin’, mesazhi për boshnjakët pak para tërmetit

Gazeta Si – Bosnjë Hercegovina mbrëmjen e djeshme është goditur nga një tërmet me magnitutë 6 ballë.

Ndërkohë mediat e huaja, bëjnë me dije se pak para tërmetit, qytetarët kanë marrë një mesazh në telefonat e tyre që të dalin jashtë shtëpive.

Siç raportohet, është hera e parë që përdoruesit e këtij sistemi operativ informohen për rreziqet e mundshme në këtë mënyrë.

Njoftimi ka habitur përdoruesit, ndërkohë vetëm pas disa sekondave janë tronditur nga tërmeti.

Në mesazh u është thënë që të dalin nga shtëpitë, të mbyllin gazin, të dalin përpara dhe të shmangin ndërtesat e dëmtuara.

Për çfarë bëhet fjalë? Mediat boshnjake raportojnë për një sistem “ShakeAlert” i cili ka kohë që përdoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Android ka filluar të dërgojë paralajmërime për tërmete në Evropë.

Sistemi “ShakeAlert” është zhvilluar nga sizmologët amerikanë në Kaliforni. Aty ku është zhvilluar ky sistem, janë instaluar një sërë sizmometrash, të cilët e bëjnë më të lehtë zbulimin e tërmeteve.

Tërmeti u regjistrua rreth orës 23:00 të mbrëmje dhe deri tani raportohet për një viktimë dhe disa persona të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë