Ana e errët

“Dil kërko borxh te komshinjtë!” Të sapomartuar, burri rreh 23-vjeçaren derisa humb ndjenjat

Ajo refuzoi që t’u bindej urdhërave të tij. Por urdhëri i tij nuk ishte një kërkesë normale, në një familje normale dhe për një çift normal. Ai i kërkoi që gruaja të dilte të kërkonte lekë boxh tek komshinjtë, pasi i kishte xhepat boxh dhe i duheshin paratë me vete. Pas konfliktit dhe këmbënguljes, 23-vjeçarja e sapomartuar, i ka kërkuar të shoqit të dilte të punonte, por është gjendur nën goditje të forta derisa i ka rënë të fikët. Kur e reja është përmendur, ka parë që partneri kishte dalë nga banesa për t’u larguar në drejtim të paditur.
Policia e Kamzës thotë se për dhunën në familje shpalli në kërkim burrin dhunues, që është një 30-vjeçar, me inicialet D.D. Referuar kallëzimit të gruas së gjakosur, ai dyshohet se masakroi bashkëshorten me grushta derisa ajo nga dhimbja humbi ekuilibrin dhe u rrëzua. Burime policore të Gazetës “Si” treguan se e reja është gjendur nën sulmin e partnerit në prani të vjehërrit dhe vjehërrës, që më pas janë munduar ta ndihmojnë të renë dhe, të frikësuar prej tij, i janë lutur që të mos merrej me të.
Por duket se 23-vjeçarja gjendet nën dhunë sistematike nga partneri prej kohësh. Si ajo, edhe prindërit e bashkëshortit. Ajo thotë në kallëzim se i shoqi me siguri është një person i përkëdhelur që kërkon t’i plotësohen të gjitha kërkesat.
“Dhuna u bë sistematike, është bërë e padurueshme. Në darkë rreth orës 20.30 pa asnjë motiv, më gjuajti. Me grushta në fytyrë, më tërhoqi për flokësh gjersa u rrëzova. Në mëngjes, më kërkoi të dilja te komshinjtë dhe të kërkoja lekë borxh për të, mbasi ai nuk kishte lekë në xhep. Kur unë e kundërshtova sepse nuk mund ta bëja diçka të tillë, më gjuajti në kokë. Ndjej dhimbje në buzën e poshtme dhe në kokë nga pas”, ka deponuar e reja. Policia konfirmon për Gazetën “Si” se e kërkoi të riun në disa lokale që D.D. i frekuenton zakonisht, por pasi nuk e gjeti askund, e shpalli në kërkim policor.
Denoncuesja shprehet para agjentëve të policisë se pas këtij sulmi, i shoqi doli i nevrikosur nga banesa: “Nuk e di se ku ka shkuar. Ai doli duke fyer dhe ofenduar dhe telefonin nuk e mori, kurse unë humba ndjenjat”, përgjigjet e reja, e cila për shkak të martesës me shkuesi është kujdesur që ta mbajë sekret dhunën sistematike dhe po ashtu të mbajë larg kësaj situate prindërit e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë