Nga Gazeta ‘Si’– Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe deputeti demokrat Flamur Noka, në seancën e fundit në Kuvend për këtë legjislaturë janë përplasur ashpër mes tyre.
Kur Spiropali i dha fjalën deputetit Denis Deliu, Noka tentoi ta marrë vetë fjalën nga foltorja.
Kjo ka bërë që tonet të ashpërsohen dhe Spiropali ta kërcënojë Nokën me përjashtim nga seanca për fjalorin e përdorur.
Pjesë nga debati:
Flamur Noka: Në parlament vlon histeria moniste kundër opozitës. Sulltan Surreli ka pasur strategji që të emërojë opozitën që ai ka dëshiruar. Opozita trajtohet si armike. Po mbyllet legjislatura më e zezë në 35 vite pluralizëm.
Sulltani mendon, ai shkel. Turp dhe faqja e zezë për këtë parlament, sepse kurrë nuk mund të imagjinohej që parlamenti të kthehej në një vend, ku liria e fjalës tentohet që të asgjësohet. Asgjësimin e fjalës së lirë e ka bërë Lindita, edhe Mamica e parlamentit…
Elisa Spiropali: Kujdes me fjalët, po turpëroni parlamentin. Fol siç është për të folur, sepse do iu heq të drejtën e fjalës.
Flamur Noka: Ky parlament ka noterizuar çdo gjë të qeverisë dhe të Sulltanit të Surrelit. Vota e lirë është asgjësuar.
Elisa Spiropali: Nuk ke fjalë zoti Noka, nuk ishte për procedurë. Folët mjaftueshëm sot. Të përgatitet zoti Gjekmarkaj.
Mos t’ju përjashtoj nga seanca për fjalorin. Nuk ke procedurë. E ke marrë disa herë për procedurë, kishe dhe fjalën. Kanë të drejtën të përgjigjen edhe ata se nuk janë gurë varri, që sa herë ti fyeni ju ata të rrinë në vend.
Uluni në vend mos të përjashtoj nga seanca. Mos guxo, dil përjashta dhe mos u sill këtu sikur ke ardhur nga mali sot. Dil përjashta nga seanca. Ulu në vend. Ska fjalë për procedurë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.