Futboll

Dikush ‘kujtohet’ për Rei Manajn, sulmuesi kuqezi mund të firmosë në Serinë A

Gazeta Si – Pas aventurës së dështuar angleze, Rei Manaj, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, kishte mbetur pa skuadër. Për të ka pasur vetëm ndonjë interesim sporadik, siç ishte ai i Los Anxheles në MLS. Tani vjen edhe një alternativë interesante për futbollistin lushnjar.

Emri i Manajt ka dalë së fundi te Frozinone, që merr pjesë në Serinë A. Nëse marrëveshja mes palëve do të konkretizohej, sepse për momentin gjithçka është në kuadrin e hipotezës, do të kemi një shqiptar më shumë në nivelin elitar të futbollit italian.

Sulmuesi ka qenë një nga të preferuarit e ish-trajnerit Edi Reja në Kombëtare, por vitin e fundit Manaj ka mbetur jashtë, sepse nuk ka qenë në aktivitet me Uatfordin. Tani ai kërkon rilindjen dhe mund këtë mund ta bëjë me Frozinonen. Lojtari 26-vjeçar e njeh mirë futbollin italian, ku ka luajtur më parë me Interin, Kremonezen, Pizën, Peskarën dhe Specian në Serinë A.

Manaj ka pasur edhe një përvojë disavjeçare në Spanjë, ku ka veshur fanellat e Albacetes, Granadës dhe Barcelonës B. Për pak kohë ai është stërvitur edhe me Bacelonën A, përkrah Mesit. Transferimi në Angli rezultoi një dështim dhe tani sulmuesi shpreson shumë të rikthehet bindshëm me një skuadër të re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë