Gazeta Si – Pas fitores ndaj patriotit të tij Rublev, Danil Medvedev ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj kushteve të vështirë të fushës së ‘Arthur Ashe Stadium’.
“Ndonjë lojtar do të vdesë dhe ju do ta shikoni ‘live’”. Medvedev pa diplomaci denoncon kushtet ekstreme në US Open 2023. Në çimenton e ‘Arthur Ashe Stadium’ (34 gradë dhe 39 brenda impiantit, me një lagështi 50%) rusi, kokë serie numër 2, mundi Andrei Rublev në çerekfinale, 6-4, 6-3, 6-4. Ndeshja zgjati 2 orë e gjysmë.
Organizatorët u përpoqën ta zgjidhnin problemin, duke mbyllur përgjysmë çatinë e fushës qendrore, por nuk mjaftoi për të garantuar kushtet më të mira. Medvedev, që disa herë gjatë ndeshjes pari probleme në frymëmarrje, në setin e 3-të shkoi para një telekamere dhe iu drejtua tifozëve me mesazhin: “Nuk mund të imagjinoni… Ndonjë lojtar do të vdesë dhe do ta shikoni këtu”.
Edhe pas ndeshjes rusi mbajti të njëjtin qëndrim: “Kushtet ishin brutale. E vetmja gjë pozitive është se ishin njësoj për të dy lojtarët. Në fund të setit të parë nuk po arrija të shikoja topin, përpiqesha të vrapoja. Rublev bënte të njëjtën gjë. As nuk po vrapoja dot, gjuaja topin dhe prisja të rrëzohesha.
Ishim shumë të lodhur, po djersisnim si të çmendur, nuk e di sa kuptohej për ata që na shikonin. Kemi përdorur peshqirë pa fund. Nuk e di çfarë do të bëhet, doja ta evidentoja problemin para të gjithëve. Kushtet në këtë Us Open janë ekstreme. Nuk dua që dikush të rrezikojë jetën në një fushë tenisi”, – tha Medvedev Në gjysmëfinale ai do të ndeshet me Karlos Alkaraz.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.