Emra të rinj, sa vijnë e dalin në grumbullimet e Kombëtares. Vetë tekniku Edy Reja ka deklaruar se kërkon të ketë sa më shumë futbollistë dhe të shohë vetë nga afër me syrin e tij, cilësitë e çdo elementi. Emri më i fundit është ai i Ramen Çapele, mesfushorit 17-vjeçar, i cili aktivizohet me Interin në Itali. Mbrojtësi që është prodhim i akademisë së Interit është ftuar nga Reja për dy ndeshjet zyrtare ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë të vlefshme për eliminatoret e Ligës së Kombeve.

Por në grumbullimin me kuqezinjtë fati e përball me Odise Roshin. Dikur e adhuronte si lojtar, ndërsa sot ka mundësinë të luajë përkrahë tij. ‘’ Dkur tifoz i Odise Roshit, sot shok skuadre’’., shkruan presidenti i FSHF-së, Armand Duka në Facebook, teksa poston edhe foton e dy lojtarëve.
I lindur në Itali më 21 Mars 2003, i riu me origjinë nga Lushnja, karrierën e nisi tek të rinjtë e Liventina, skuadra e qytetit të tij të lindjes. Sapo mbushi 14 vjeç, mëngjarashi u transferua te U-15 e Interit. Paraqitjet e mira me zikaltërit bënë që përfaqësuesja italiane ta afronte me ekipin U17, me të cilin luajti në vitin e fundit ndeshje zyrtare në tetor 2019 duke shënuar edhe dy gola. Edhe pse i panjohur për tifozët, kontaktet me FSHF-në kanë qenë të vazhdueshme edhe në të kaluarën, por Panucci në krye të pankinës kuqezi nuk ia doli dot ta bindë. Ka qenë vetë trajneri Reja që ka folur me djaloshin e talentuar dhe familjen e tij. Fjalët e teknikut, e sidomos premtimi se mund të bashkohet me kombëtaren A, kanë bërë që ai të ndërrojë mendje.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




