Nga Ardit HOXHA – Ai është një futbollist i famshëm në Shqipëri, më shumë për atë që kanë shkruar mediet se sa për atë që ka dhënë këto vite në fushën e lojës. Elvis Kabashi, dikur një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar dhe atij italian, tashmë e gjen veten duke luajtur në kampionatin rumun me Dinamon e Bukureshtit. Pak kush nuk e mban mend letrën e famshme që mbërriti në Federatën Shqiptare të Futbollit me emrin e Elvis Kabashit, ku ky i fundit kërkonte që të mos thirrej më në kombëtare, pasi dëshironte të luante me përfaqësuesen e Italisë.

Asokohe, në vitin 2014, ai ishte një talent shumë premtues në Itali, aq sa gjiganti i Serisë A, Juventusi e bleu atë nga Empoli për disa qindra mijëra euro. “Zonja e Vjetër” e pëlqeu Kabashin, duke parë tek ai një mesfushor të ri dhe të talentuar, saqë shumë filluan ta konsiderojnë atë si “Markizio i ri”.
Por karriera e Kabashit nuk shkoi ashtu siç pritej. As Juventus, as kombëtare italiane, madje as Serie A dhe futbollisti me origjinë shqiptare u detyrua të emigrojë sa në një klub në një tjetër, por gjithmonë në kategoritë inferiore në Itali. Tashmë është 25 vjeç dhe ka filluar një aventurë të re në Superligën e Rumanisë me Dinamon e Bukureshtit. Më i pjekur dhe me një karrierë që nuk shkoi siç pritej, në një prononcim për Gazeta “Si”, Kabashi i është rikthyer edhe një herë temës më të nxehtë në karrierën e tij, “refuzimi i kombëtares shqiptare”.

Elvis Kabashi shprehet se faji për letrën e famshme dhe mënyrën se si shkoi karriera e tij është vetëm i ish-menaxherit të tij, i cili ka shtyrë atë drejt zgjedhjeve të gabuara. Kabashi na tregon një version të ri të asaj historie, pasi mohon që letrën e cila mbërriti në FSHF ta ketë bërë ai, por menaxheri, të cilin 25-vjeçari thotë se e ka paditur në gjyq. “Menaxheri që kisha gjithmonë ka bërë zgjedhjet e gabuara për skuadrat që duhet të zgjidhja. Por gjithsesi unë jam shumë i ri dhe me shumë dëshirë për të arritur sa më lartë në karrierë. Për sa i përket kombëtares shqiptare, nuk është e vërtetë që unë kam refuzuar të luaj me kombëtaren e Shqipërisë. Letra për të cilën ju flisni është bërë nga ish-menaxheri im, me të cilin sot jam në një çështje gjyqësore në Itali, pasi ka bërë shumë gjëra kundër meje dhe me ka vjedhur shumë para.”

Duke përmendur faktin që ka luajtur në europianin U-17 me Shqipërinë, Kabashi thotë se ai gjithmonë ka dashur të luaj me fanellën kuqezi dhe se ende ka shpresa se një ditë mund të rikthehet në kombëtare. “Unë kam luajtur në kampionatin europian me Shqipërinë, ku jam shprehur edhe se ndjehem shqiptar, sepse gjaku im i tillë është, shqiptar. Nëse nuk do ndjehesha shqiptar, unë nuk do kisha luajtur në kampionatin europian U-19 me Shqipërinë, apo jo? Unë gjithmonë dhe deri në fund do vazhdoj të luaj dhe të jap maksimumin tim, që një ditë të rikthehem në kombëtaren shqiptare, pasi është skuadra e vendit dhe kombit të familjes sime, por mbi të gjitha skuadra e gjakut tim.”
Ndërkohë një çështje tjetër, ku është lakuar emri i Elvis Kabashit ka qenë edhe një interesim hipotetik i Partizanit për shërbimet e tij. Por në intervistën e tij për “Gazeta Si”, Kabashi ka mohuar që një gjë e tillë të jetë e vërtetë. Ai tha se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë kontakt me ndonjë ekip shqiptar. “Për sa i përket merkatos, unë asnjëherë nuk jam kontaktuar nga një ekip shqiptar. Menaxheri im asnjëherë nuk më ka folur për ndonjë ekip shqiptar që mund të jetë interesuar për mua dhe mund t’ju konfirmoj se lajmet që kanë dalë për këtë çështje janë të rreme. E përsëris që asnjëherë nuk më është propozuar që të luaj për një klub shqiptar.”

Kalimi në Rumani te Dinamo e Bukureshtit është një etapë e re në karrierën e Kabashit, prej së cilës ai shpreson që të rigjejë veten për të shkuar sa më lartë. Te Dinamo ai gjen dhe një lojtar të ekipit kombëtar, Naser Aliji, me të cilin mesfushori 25-vjeçar thotë se ka një raport shumë të mirë dhe se flasin vazhdimisht edhe për Shqipërinë. “Te Dinamo e Bukureshtit ndjehem shumë mirë. Është një klub me një histori të madhe dhe unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e tij. Kjo është hera ime e dytë që luaj jashtë Italisë, pasi me herët kam luajtur në Holandë. Aliji është një lojtar i madh, por mbi të gjitha një person shumë i mirë. Duke qenë të dy shqiptarë ne kemi lidhur shumë miqësi me njëri tjetrin. Unë në fakt. e njihja atë edhe para se të vija këtu në Rumani, pasi ai ka luajtur në Itali. Flasim shumë shpesh bashkë edhe për kombëtaren shqiptare.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





