Futboll

Dikur fitonte Championsin, sot Masterchefin! Historia e bukur e ish-lojtarit të Milanit

Gazeta Si – Për futbollistët nuk është aspak e thjeshtë të ndërtojë një jetë të dytë jashtë sportit. Disa janë aq të përqendruar pas topit, sa nuk dinë çfarë të bëjnë pasi varin ‘këpucët në gozhdë’. Diçka duhet bërë, sepse nuk mund të vraposh gjithë jetën pas topit.

Disa të tjerë i kanë idetë e qarta që në fillim dhe studiojnë që të rinj për të garantuar të ardhmen, ndoshta gjithmonë brenda botës së futbollit. Pastaj ka edhe nga ata që sapo tërhiqen nga sporti interesohen për fusha të tjera. Mes këtyre është pa dyshim edhe ish-milanisti Jesper Blomkvist, i cili është dhënë pas kuzhinës dhe e ka bërë plot sukses.

Blomkvist dhe Bekham kur luanin per Mançester Junajtid. Gazeta Si, 22 janar 2023

Sipas ‘Sportbible’, prej vitesh suedezi që përveç Mianit ka veshur edhe fanellat e Parmës dhe Mançester Junajtid të tripletës së 1999-ës, ka alternuar punët e futbollit me atë të kuzhinës. Ka hapur një piceri afër Stokholmit, që njihet për nivelin e mirë.

Por tani Blomqvist ka bërë një hap përpara dhe ka vendosur të tregojë aftësitë e tij në kuzhinë dhe në televizion. Ish-futbollisti ka marrë pjesë në edicionin suedez të Masterchef dhe ka fituar. Me një postim në profilin e tij në Instagram suedezi ka përmbledhur emocionet e kësaj eksperience.

Blomkvist ne picerine e tij. Gazeta Si, 22 janar 2023

‘Në anën tjetër të tavolinës kisha një kundërshtar shumë të fortë si Karl Fredrik Gustafson, ishte një finale shumë apasionante. Edhe pse e dija rezultatin, duke parë në TV djersita shumë. Jam pafundësisht i lumtur dhe i emocionuar për fitoren.

Ishte një eksperiencë argëtuese, edukative dhe e fortë. Ndihmon të kesh persona të jashtëzakonshëm mes konkurrentëve, pjesëtarëve të jurisë dhe pjesës tjetër që ka marrë pjesë. Falemindertit për këtë aventurë shumë të bukur”.

Blomkvist pas fitimit te Masterchefit ne Suedi. Gazeta Si, 22 janar 2023

Blomqvist mund t’i shtojë medaljes së Championsit të fituar me Mançester Junajtid edhe atë të Masterchefit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë