Biznes

Digjitalizohet edhe QKB. Çdo shërbim biznesi kthehet online, mbyllen sportelet

Nga Gazeta 'SI' - Shërbimet e Qendrës Kombëtare të Biznesit do të bëhen pjesë e platformës e-Albania, duke u kthyer tërësisht online.

Tre drafte të fundit të qeverisë, publikuar për konsultim, parashikojnë digjitalizimin e plotë të shërbimeve për biznesin, përfshirë edhe marrjen e licencave. Çdo dokument do të jetë i disponueshëm vetëm online. Sportelet fizike nuk do të ekzistojnë më.

Sipas arsyetimit që jep ministria e Ekonomisë, MEKI, këto ndryshime do të japin një sërë efektesh pozitive të cilat lidhen me ofrimin e shërbimeve të QKB-së duke reduktuar kostot dhe kohën e pritjes së qytetarëve dhe subjekteve për marjen e shërbimit, rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve të QKB-së online, nëpërmjet reduktimit të kohës së pritjes së qytetarëve në sportel dhe marrjes së shërbimeve nëpërmjet një infrastrukture moderne.

MEKI thotë se këto ndryshime do të kenë efekte financiare, por nuk përmenden vlera.

Pak ditë më parë, AKSHI hapi një tender 1.5 mld lekësh, për të rindërtuar nga fillimi portalin e-albania 2.0.

Sipas AKSHI-t, synohet përmirësimi i shërbimeve të këtij portali, implementimi i teknologjisë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar, mikroorganizimi i shërbimeve, krijimi i raporteve dhe analizave etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë