Kosova

Digjet një makinë me targa serbe në veri

Një makinë me targa të Serbisë është djegur të hënën pas mesnate në veri të Mitrovicës.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, drejtor i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

“Ngjarja ka ndodhur në orën 02:05 të mëngjesit”, tha ai. Hoti shtoi se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me rastin.

Më herët, në veri të Kosovës janë djegur edhe makina me targa RKS, në pronësi të qytetarëve serbë që jetojnë atje.

Aktualisht, autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan prej tre fazash përmes së cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të riregjistrojnë makinat e tyre në targa RKS.

Faza e parë parashikonte qortimin, e dyta gjobën dhe më vonë vendosjen e disa targa provuese.

Zbatimi i fazës së dytë, që parashikon vendosjen e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla, është shtyrë për 48 orë.

Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit. Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë