Gazeta Si – Dy javë pasi u dogj mjeti i 27-vjeçares Deizi Arapi, një tjetër makinë është djegur në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në Bilisht.
Mësohet se mjeti i përket i punonjësit të karburantit në Bilisht, Marsel Buçit, i cili u akuzua nga Deizi Arapi se është përgjegjës i djegies së mjetit te saj.
Zjarrvënia e sotme, sipas policisë dyshohet e qëllimshme, pasi mund të jetë ‘hakmarrje’ për ngjarjen e ndodhur më 25 shtator, ku iu vu flaka mjetit të Arapit dhe u dogj plotësisht.
Sipas informacioneve, vetë Marsel Buçi ka deklaruar në polici se dyshimet e tij janë tek Deizi Arapi, pasi ajo ka përmendur emrin e tij kur u dogj makina e saj dy javë më parë.
Policia e Bilisht ka shoqëruar 15 persona për djegien e automjetit që mori flakë gjatë natës, ku mes tyre është edhe 27-vjeçarja Deizi Arapi.

Pronarja e makinës tip “Mercedes Benz” që u dogj para dy javësh, ngriti akuza se ngjarja lidhet me një konflikt të vjetër mes saj dhe ish kryebashkiakut Bledion Nallbati, aktualisht deputet i PD për shkak të largimit të padrejtë të nënës së saj nga puna, ndërsa dëshmoi se personi që ka kryer veprimin ishte punonjësi i karburantit në pronësi të deputetit.
Deputeti Nallbati ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, ndërsa ka sqaruar se me të renë nuk ka konflikte dhe se me të ka komunikuar vite më parë vetëm për rastin e nënës së saj.
Vetëm një muaj më parë 27-vjeçarja Arapi u la nga gjykata në masën e sigurisë detyrim paraqitje, pas arrestimit për shkak se u konfliktua verbalisht dhe fizikisht me punonjësit e policisë.
Ajo u akuzua për prishje të rendit dhe qetësinë publike, pasi së bashku me motrën dhe disa miqtë e saj po dëgjonin muzikë në makinë gjatë mesnatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




