Gazeta Si – Një zjarr i qëllimshëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte katin e parë të një mobilierie në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e brendshme të biznesit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas burimeve policore, një person i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet objektit, thyen xhamin e derës me një çekiç dhe më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, i vë flakën mobilierisë.
Autori më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko.
Ky i fundit ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas dhe ka parë se kati i parë i mobilerisë ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.
Në vend kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, megjithatë dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



