Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të së mërkurës ka marrë informacione për djegien e një makine me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, pronar i së cilës ka qenë një qytetar i komunitetit serb.
Policia ka thënë se zjarrfikësit kanë dalë në skenën e incidentit dhe se autoritetet janë duke hetuar rastin.
Ky njoftim vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS.
Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.
Këto targa i lëshon Serbia dhe mbartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë prekur serbët që po riregjistrojnë makinat në RKS.
Institucionet e Kosovës kanë fajësuar “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se nga 1 shtatori deri më 27 tetor kanë regjistruar tri incidente të sulmeve ndaj serbëve që i janë përgjigjur kërkesës për riregjistrimin e makinave.
Deri në fund të muajit tetor besohet se rreth 20 makina me targa ilegale serbe janë pajisur me targat RKS.
Përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë.
As Beogradi zyrtar nuk ka komentuar publikisht këto sulme në veri të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




