Një automjet ka marrë flakë mbrëmjen e së dielës në Krujë rreth orës 22:30. Sipas policisë, është përfshirë nga flakët një automjet në parkim i tipit “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit S.H.
Burime policore bëjnë me dije se makina e djegur është e vëllait të Eljon Hysës (njihej edhe me emrat Kejsi ose Sahit Hysa) nga Gjormi, i cili u gjet i vrarë dhe i groposur në Nikël të Krujës në 14 korrik të vitit 2018.
Makina ka qenë e parkuar në oborrin e banesës së një familjari të tij, ku Hysa kishte shkuar për vizitë.
Policia ka shoqëruar në komisariat 6 persona dhe janë sekuestruar pamje filmike të bizneseve aty pranë, si dhe janë kryer disa kontrolle banesash.
Në korrik 2018, familjarët e Kejsi Hysës, i cili njihej edhe si person që jepte para me fajde, kishte denoncuar zhdukjen e tij, duke hedhur dyshime se mund të ishte vrarë. Hysa, me origjinë nga Laçi i akuzuar për një vrasje në Sarandë në 2015-ën, i fshihej policisë.
Ai prej kohësh qëndronte në një banesë në fshatin Nikël, por në datën 5 korrik ka dalë nga banesa dhe më pas nuk është rikthyer më.
Rezulton se ai është vrarë dhe më pas u gropos pranë varrezave të fshatit Nikël, në mënyrë që trupi i tij të mos zbulohej. Policia arriti të zbulojë trupin e Hysës në sajë të sinjalit që kishte lëshuar telefoni i viktimës për herë të fundit.
Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, janë dy persona, ndërsa ekzekutimi i tij, nuk ka lidhje me ngjarjen e vitit 2015 në Sarandë. Dyshohet se vrasja është kryer për shkak të borxheve që njëri nga autorët i kishte viktimës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.