Gazeta Si – Në Francë, është aktivizuar alarmi për motin e nxehtë, me temperatura që arrijnë në 41 gradë: Agjencia Meteorologjike Franceze, “Meteo France”, ka lëshuar një alarm të kuq për një valë të nxehti në 16 rajone.
Në kryeqytetin francez, vapa ekstreme ka çuar në mbylljen e Kullës Eiffel të paktën deri nesër, 2 korrik, ndërsa në disa zona mbi 1,300 shkolla do të mbeten pjesërisht ose plotësisht të mbyllura.
Vapa intensive ka goditur të gjithë Evropën, me temperatura rekord mbi 40 gradë nga Franca në Gjermani, nga Greqia në Spanjë.
Kulla Eiffel mbyll hyrjen para kohe – Në Francë, monumenti ikonik i Parisit ka përshpejtuar mbylljen.
“Për shkak të temperaturave ekstreme që priten pasdite dhe në mbrëmje, Kulla Eiffel do të mbyllet në mënyrë të jashtëzakonshme në orën 16:00. Hyrja e fundit në orën 14:30”.
Ky është komunikimi i publikuar në faqen e internetit. “Vizitorët me bileta për një vizitë pas orës 13:00 u kërkohet të kontrollojnë adresën e tyre të email-it. Vizita do të rimbursohet automatikisht. Vizitorët pa bileta u kërkohet ta shtyjnë vizitën e tyre deri pas të enjtes”, thuhet aty. Më parë, vizitorët ishin informuar se Kulla Eiffel do të mbetej e mbyllur deri të mërkurën.
Pezullohen trenat Paris-Milano – Për më tepër, trafiku hekurudhor midis Parisit dhe Milanos është ndërprerë “për të paktën disa ditë”, pas stuhive të dhunshme që goditën luginën Maurienne, në Alpet Franceze: kjo është ajo që njoftoi Snc, kompania hekurudhore franceze.
Kompania hekurudhore shpreson se nuk ka dëmtime në shina, gjë që do ta bënte ndërprerjen e lidhjeve midis Parisit dhe Milanos edhe më të gjatë.
Sipas Prefekturës së Savojës, pas vapës përvëluese që preku zonën, stuhi të dhunshme shkaktuan përmbytje të paprecedentë të përroit Charmaix në 70 vjet, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në Modane dhe rrethinat e saj, pranë kufirit me Italinë. Nuk ka viktima.
Spanja arrin 46 gradë – Në Spanjë, termometrat në El Granado në Huelva, në rajonin jugor të Andaluzisë, arritën 46 gradë të shtunën, një nivel i paregjistruar kurrë më parë në këtë kohë të vitit dhe duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 45.2 të regjistruar në Sevilje në vitin 1965, raportoi agjencia shtetërore meteorologjike, “Amet”.
Vala e jashtëzakonshme e nxehtësisë ka pasur tashmë efekte tragjike në Barcelonë, ku është nisur një hetim për vdekjen e një punëtoreje 51-vjeçare të pastrimit komunal, e cila vdiq të shtunën pasi kishte mbaruar turnin e saj.
Japonia regjistron qershorin më të nxehtë – Japonia ka regjistruar qershorin e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, tha agjencia meteorologjike.
“Temperatura mesatare mujore për qershorin në Japoni ishte më e larta për muajin që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1898”, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




