Kosova

Digjen edhe tri makina të tjera me targa kosove në veri

Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka njoftuar se edhe tri makina të tjera me targa të Republikës së Kosovës janë djegur në Leposaviq.

Ai thotë se strukturat ilegale të Serbisë të diskredituara dhe me mbështetjen e pakësuar nga serbët e Kosovës tashmë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese.

“Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi piromaniak i Vuçiçit do të dështojë”, ka shkruar Vela.

Përveç këtyre tri makinave, në veri të vendit janë djegur edhe pesë të tjera në interval kohor prej dy ditësh. Për gjithë situatën ka pasur dje reagime të ashpra nga ndërkombëtarët.

Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.

Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Europian kanë arritur marrëveshje për targat.

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, ndërsa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë