Gazeta Si – Roma humb Paulo Dibalën për 4-8 javë. Ekografia që lojtari argjentinas bëri gjatë pasdites ka treguar se dëmtimi në kofshën e majtë është serioz, duke vënë në rrezik edhe pjesëmarrjen në Botërorin e Katarit.
Koha e saktë që i duhet sulmuesit do të mësohet pas rezonancës manjetike, që bëhet 24-36 orë më pas. Ajo që është e qartë në këtë moment ka të bëjë me faktin se rreziku i humbjes së Botërorit, që nis pas 40 ditësh, është vërtet i lartë.

Në rastin më të mirë Dibala do të rikuperohej një javë para nisjes së Kupës së Botës, në rastin më të keq do të kthehet në 2023-shin. Argjentinasi u dëmtua gjatë ndeshjes së fundit me Leçen, ku pasi shënoi me penallti nuk pati kohë as të festonte golin.
Dhimbja në kofshën e majtë ia fshiu menjëherë buzëqeshjen nga fytyra. Me lot në sy lojtari kërkoi ndërrim dhe la fushën. Një goditje për të personalisht, por edhe për Romën, që do ta humbasë për një kohë të gjatë lojtarin më në formë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




