Kosova

Dialogu me Serbinë, Gabriel Escobar viziton Kosovën të mërkurën

Gazeta Si – I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë të mërkurën 19 tetor, Kosovën, ku do të qëndrojë në Prishtinë për të zhvilluar takime me krerët shtetërorë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do ta presë Escobarin mëngjesin e 19 tetorit dhe pas takimit është paralajmëruar edhe një konferencë për media.

Deri më tani, takimet eventuale të Escobarit me liderët e tjerë nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Vizita e Escobarit më 19 tetor në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania thuhet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis dy shteteve për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

Për herë të fundit, Escobar vizitoi Kosovën më 24 gusht, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë