Politike

‘Dialogu me opozitën, rruga e vetme për dakordësi’, Jorida Tabaku tregon kushtet e pjesëmarrjes në Komisionin ‘Xhafaj’

Nga Gazeta Si - Jorida Tabaku nuk merr pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të PD dhe shpesh herë ndan qëndrime të ndryshme me kolegët e saj të opozitës, por në rastin e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformat e Integrimit, ata flasin me një zë përsa i përket mospjesëmarrjes së opozitës. Për shkak të pozicionit si Kryetare e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku është zyrtarisht anëtare, por ajo s’ka për të marrë pjesë, sepse beson se komisioni dublon Këshillin e Integrimit që ajo drejton dhe ka për qëllim të intimidojë institucionet që luftojnë korrupsionin e qeverisë. Këtë qëndrim zonja Tabaku e mbajti në një intervistë për Gazeta Si.

“Nxitimi i maxhorancës me këtë komision nuk vjen nga dëshira për të luftuar korrupsionin, por nga dëshira për të kontrolluar ata që e luftojnë atë” tha zonja Tabaku, duke nënkuptuar SPAK-un. Dhe pavarësisht ftesës së përsëritur nga kryeministri, zonja Tabaku beson se një komision i tillë ka vetëm një rrugë për të funksionuar siç duhet, dialogun me opozitën.

Gazeta Si: Kryeministri Rama ju ftoi sërish në bashkëpunim në Komisionin e Posaçëm për reformat, por ju keni ngritur shqetësimin se ai po dublon Këshillin e Integrimit që ju drejtoni. Cilat janë argumentet tuaja?

Jorida Tabaku: Komisioni i ngritur me votat e mazhorancës dhe pa një dakordësi të qartë politike është një kopje në mënyrën e strukturimit si ajo e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Një komision i posaçëm do të ishte e kuptueshme dhe e pranueshme që të kishte një funksion ekstra apo të posaçëm, pra, ndryshe nga funksionet e komisioneve që ekzistojnë, por Komisioni Xhafaj duke thirrur të gjithë kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme kopjon modelin e KKIE. Jo vetëm kaq por edhe kërkesën e llogarisë ndaj institucioneve të pavarura e ka të bazuar në ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit Europian, duke kërkuar informacion nga institucionet e pavarura në lidhje me përmbushjen e detyrimeve mbi progres raportin e BE. Në fund, por jo nga rëndësia, komisioni ka marrë një pjesë të mirë të stafit të KKIE, një proces në dukje brenda rregullores, por, që në thelb, është një dublim i punës së KKIE, meqë stafi do ketë detyra të ngjashme.

Gazeta Si: Ju ngrini si problem se bashkëpunimi i komisionit të posaçëm me disa institucione të pavarura cenon pavarësinë e tyre. Ku qëndron problemi që institucionet, në këtë rast parlamenti përmes komisionit, të shkëmbejnë opinione për përmirësimin e legjislacionit psh?

Jorida Tabaku: Komisioni ka kërkuar që ekspertët e institucioneve të pavarura të jenë pjesë e sekretariatit të këtij Komisioni. Kur u ideua reforma në drejtësi, qëllimi ishte edhe largimi i duarve të politikës nga drejtësia, ndërkohë që sot shohim që Komisioni Xhafaj po kërkon të përfshijë ekspertë të institucioneve të pavarura brenda sekretariatit të komisionit. Duke parë realitetin politik dhe realisht çfarë po ndodh me korrupsionin endemik, i cili po lulëzon nën qeverinë aktuale dhe mazhorancën socialiste, nuk mund të sillemi si një vend ku institucionet respektohen. Kemi parë ndryshime ligjore të shumta që më pas SPAK i ka analizuar si produkt i korrupsionit të anëtarëve të kësaj mazhorance, ndaj nuk mund të fshihemi pas “opinioneve për përmirësim legjislacioni”. Aq më tepër kur shohim nxitimin e një mazhorance të njollosur nga korrupsioni që nuk pyet dhe as përpiqet të gjejë një gjuhë bisede dhe dialogu me opozitën. Ky nxitim, nuk vjen nga dëshira për të luftuar korrupsionin por nga dëshira për të kontrolluar ata që e luftojnë atë!

Gazeta Si: Për shkak të funksionit tuaj si kryetare e Komisionit të Integrimit, ju jeni zyrtarisht anëtare e komisionit Xhafaj, por nuk merrni pjesë në të. E bëtë këtë në koordinim me grupin parlamentar apo keni arsye të tjera?

Jorida Tabaku: Le të biem dakord për një çështje- grupi parlamentar i PD nuk ka qenë kundër asnjë nisme në lidhje me çështjen e integrimit Europian. Por, opozita nuk është aty e mirëqënë dhe një kukull që qeverisë i teket të prodhojë një dokument dhe opozita i shkon pas. Nuk funksionon kështu demokracia, akoma më pak demokracia institucionale ku ne duam të integrohemi. Sa herë që qeveria ka ndërmarrë nisma të tilla, partizane, gjithnjë ka nxituar dhe padyshim ka gabuar!

Gazeta Si: Në çfarë rrethanash do të bëheshit ju pjesë e komisionit Xhafaj?

Jorida Tabaku: Dialogu me opozitën është e vetmja mënyrë për të përfshirë opozitën. Besoj të dy palët jemi aq të pjekur sa të gjejmë një gjuhë dialogu, që e kemi gjetur dhe në kohë më të vështira, për të vazhduar më tej. Por, dyshoj se mazhoranca që hap një komision 10 mujor ka vullnetin për këtë dialog dhe kjo është fatkeqësi për jetën parlamentare që është nakatosur shumë nga miratimi ligjeve me porosi.

Gazeta Si: Çfarë mund të bëjë më mirë ky komision sesa procesi screening, i kryer nga ekspertët e Komisionit Europian?

Jorida Tabaku: Mundet fare mirë që procesin screening ky komision t’ia lërë KKIE dhe vetë të angazhohet në këshilla ndaj mazhorancës për reformat. Mendoj dhe jam e bindur që reformat i përkasin qeverisë, por llogaridhënien dhe transparencën mund ta bëjë vetë parlamenti, apo më saktë opozita.

Gazeta Si: Partnerët kanë kërkuar gjithëpërfshirje në komision, në mënyrë që opozita të ndihet pjesë reale e procesit. Ka ndonjë lëvizje prej tyre që ta realizojnë këtë?

Jorida Tabaku: Partnerët tanë strategjikë e kanë shprehur kërkesën e tyre publikisht duke ftuar mazhorancën që të ulet në një debat diskutimi me opozitën. Por, siç e theksova, shoh hezitimin për dialog nga mazhoranca ndërsa ajo nxiton për të përmbushur një përpjekje të kotë për të kapur pikërisht ato institucione që, me kallëzimet penale, dhe hetimet e tyre po faktojnë korrupsionin endemik të qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë