Kosova

Dialogu me Kosovën, Vuçiç kundër një konflikti të ngrirë: Përfundon me viktima

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi në Beograd se Serbia është e përkushtuar për një dialog të vërtetë mbi çështjen e Kosovës.

Pas takimit me homologun e tij slloven, Borut Pahor, kreu i shtetit serb nënvizoi se konfliktet e ngrira përfundojnë në “qindra e mijëra të vdekur”.

“Jemi të përkushtuar për një dialog me Prishtinën nën kujdesin e Brukselit. Ne ishim gati për dialog në maj, do të jemi gati në qershor dhe gjithmonë, sepse ne besojmë se asnjë konflikt i ngrirë nuk është i mirë. E shihni se si përfundojnë, çdo pesë vjet, dikush i shkrin dhe ato përfundojnë me qindra e mijëra të vdekur. Nuk na duhet kjo”, tha Vuçiç në konferencën e përbashkët për shtyp me Pahor.

Vuçiç ka theksuar se një konflikt i ngrirë me Kosovën, mund të çojë në një përshkallëzim të situatës.  

“Nuk duam që kjo të na ndodhë dhe të na befasojë. Prandaj nuk angazhohemi për një konflikt të ngrirë, por duam një zgjidhje kompromisi dhe të këmbëngulim në procesin që zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së”, – ka thënë më herët ai, sipas ‘Gazeta Express’.

Kosova dhe Serbia pritet të ri-nisin dialogun nën ndërmjetësinë e BE-së përgjatë muajit qershor, takim ky të cilin e ka parë me optimizëm ndërmjetësuesi special i unionit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Ky i fundit pati deklaruar se marrëveshja finale ndërmjet dy palëve pritet të arrihet në fund të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë