Analize

Dialogu, Kurti do të negociojë me Serbinë, SHBA dhe Rusinë!

Paqja me Serbinë do të jetë padyshim misioni më i vështirë i Albin Kurtit, si Kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Por në tryezën për arritjen e kësaj marrëveshje historike ka të ngjarë të përfshihen edhe SHBA-ja dhe Rusia, duke e kthyer dialogun në fushë të minuar ku ka të ngjarë të përplasen interesa të mëdha gjeostrategjike.

Vetë Kurti ka paralajmëruar se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë ai dhe jo presidenti Hashim Thaçi. Duke folur për mediat, Kurti u shpreh se sapo qeveria e re e Kosovës të niste punën në nëntor, do të merrte edhe udhëheqjen e dialogut. Por, atij duket se do t’i duhet të negociojë jo vetëm me presidentin Aleksandër Vuçiç, por edhen me dy të dërguarit special të SHBA-së, Richard Grenell dhe Matheë Palmer, si edhe zyrtarë rus.

SHBA-ja duket se po merr tanimë përsipër udhëheqjen e këtij dialogu, duke nxjerrë jo vetëm jashtë loje BE-në, por edhe duke nxitur Rusinë të përfshihet. SHBA po i kërkon me ngulm Kosovës “paqe” me Serbinë, një kërkesë që është vënë tanimë në tryezën edhe të kryeministrit të ardhshëm të vendit, pa marrë ende detyrën.

Duke theksuar se që sot e tutje Beogradi do të negocionte më të, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese e Prishtinës përcakton se dialogu Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ishte në juridiksionin e Kryeministrit dhe jo të Presidentit.

I pyetur se çfarë do të bënte nëse ndërmjetësit ndërkombëtarë do të ftonin Presidentin Hashim Thaçi, i cili ka udhëhequr deri më tani dialogun, Kurti tha se kjo do të ishte një shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

Richard Grenell dhe presidenti Donald Trump. Gazeta Si, 24 tetor 2019

“Thaçi është President, por ai nuk është përgjegjës për politikën e jashtme ”, tha Kurti.

Duke folur për rinisjen e dialogut me Serbinë, Kurti deklaroi se nuk pritej të ulej së shpejti me presidentin Vuçiç në tryezën e bisedimeve për shkak të zgjedhjeve në Serbi.

Kurti tha se me fillimin e fushatës zgjedhore në Beograd në janar, pritshmëritë që marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës do të arrihet së shpejti është joreale.

"Ne e dimë se cilat janë deklaratat nacionaliste gjatë një fushate zgjedhore në atë vend", deklaroi Kurti.

Por edhe pse kreu i Vetëvendosjes ka shprehur ngurim, SHBA-ja duket se po “merr masa” që Beogradi dhe Prishtina të rikthehen sa më shpejt në tryezën e dialogut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportohet t’i kenë kërkuar Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës, duke dërguar në këmbim një sërë kompanish për të investuar në Beograd.
Sipas gazetës serbe, “Tanjug” i dërguari Special i Amerikës për Kosovën, Richard Grenell i ka kërkaur Beogradit që të arrrijë një marrëveshje me Prishtinën nëse do që të përfitojnë ekonomikisht.
Për shumë analistë, SHBA-ja dëshiron që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet brenda 2019-ës. Dhe duke pasur parasysh problemet e brendshme të unionit, duket qartë se Brukseli nuk ka as fuqi dhe as unitetet për të luajtur rol kryesor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por kjo ndërhyrje e presidentit amerikan ka të ngjarë t’i ktheje bisedimet në një arenë përplasjesh mes Uashingtonin dhe Moskës, pasi siç kanë treguar zhvillimet e muajve të fundit, as Kosova nuk mund të marrë një vendin të tillë historik pa u konsultuar me SHBA-në dhe as Serbia pa u konsultuar me Rusinë.

Mediat serbe thonë se Grenell i përcolli Vuçiçit kërkesë e presidentit Donald Trump se për njohjen sa më shpejt të Kosovës. Ato raportojnë se Trump është i gatshëm t’i ofrojë Serbisë investime nga kompani të mëdha amerikane nëse realizohet kërkesa e tij.

Presidenti Vladimir Putin dhe presidenti Donald Trump. Gazeta Si, 24 tetor 2019

Rusia nga ana tjetër ka dhënë sinjale për t’u përfshirë në këtë dialog, duke i ardhur kështu në ndihmë Serbisë. Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko deklaroi të mërkurën se formati i dialogut duhet të ndryshohet në mënyrë që përveç BE-së, të përfshihen direkt edhe përfaqësuesit e Rusisë, SHBA-së dhe fuqive të tjera të mëdha.

“Aktualisht nuk shohim parakushte për nisjen e bisedimeve”, tha ai. I pyetur nëse Moska mund të mbështesë një zgjidhje që mund të shkojë në drejtim të korrigjimit të kufijve, nëse rreth kësaj pajtohen të dyja palët, Kharchenko tha se Kremlini do të mbështeste çdo pakt që arrihet nga Beogradi dhe Prishtina.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se nuk është reale që vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi.

“Është e vështirë që vetëm Shtetet e Bashkuara të përfshihen në dialog dhe që askush tjetër të mos përfshihet. Kjo nuk është reale”, ka thënë kreu i diplomacisë serbe.

Por profesori i shkencave politike në universitetin Saint Mary në Londër, James Ker Lindsay, thotë se partneri kryesor në dialogun Kosovë – Serbi duhet të jetë Bashkimi Evropian, dhe jo Uashingtoni dhe aq më pak Moska.

“Partneri kryesor duhet të ishte Bashkimi Evropian. Mirëpo pozita e BE-së në këtë rast është dobësuar. Pse? Ne jemi në fund të mandatit të Komisionit Europian dhe personat dhe autoriteti që merret me këto bisedime janë duke u larguar. Papritur roli i SHBA-së bëhet rol udhëheqës, mirëpo çdo gjë duhet të bëhet për anëtarësimin në BE. Anëtarësimi në BE duhet të jetë ajo që e shtyn përpara gjithë këtë proces”, tha Lindsay.

Ai shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kenë rol konstruktiv dhe pozitiv. E vetmja mënyrë që të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit sipas tij është që komuniteti ndërkombëtar të jetë i bashkuar dhe SHBA-ja dhe Bashkimi Europian të punojnë së bashku.

“Për momentin ne nuk po shohim një gjë të tillë. Ne po shohim ndarje brenda BE-së, po shohim dallime të mëdha mes vendeve të BE-së dhe SHBA-së. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë një pozicion që nuk është i njëjtë me SHBA. Franca ka një pozicion tjetër. Komisioni Europian ka një pozicion të ngjashëm me atë të SHBA-së, mirëpo Gjermania është kundër atij pozicioni të Komisionit Evropian. Për momentin asgjë nuk do të ndodh para se të kalohen këto ndasi”, tha Lindsay.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë