Nga Gazeta ‘Si’-I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shprehet se u ka bërë me dije palëve se duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka, duke theksuar se zbatimi i marrëveshjes duhet të shënojë përparim nga të 2 vendet.
Lajçak duke komentuar takimet që kishte gjatë kësaj jave, ka përmendur udhëtimin e tij në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryenegociatorin Petkoviç.
“Diskutimet tona ishin vazhdimësi e përpjekjeve tona për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Ngjashëm me diskutimet tona në Kosovë, ne trajtuam edhe çështje të tjera urgjente në dialogun e lehtësuar nga BE, duke theksuar nevojën për zgjidhje urgjente në përgatitje për takimit të kryenegociatorëve.
Në diskutimet tona, theksova se zbatimi i marrëveshjes duhet të përparojë me të dyja palët duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse hap pas hapi paralelisht dhe bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, shkroi ai në Facebook.
Mes të tjerave, ai ka treguar se në takimet që ka pasur me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, janë diskutuar një sërë çështjesh, si Statuti i Asociacionit, plani i zbatimit, energjia, tabelat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.
“Të enjten prita dy kryenegociatorët në Bruksel. Diskutuam një sërë temash – Statuti, Plani Implementues, Energjia, Targat, Zgjedhjet dhe Personat e Pagjetur. Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në axhendën tonë të Dialogut dhe pres një veprim të shpejtë së shpejti. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim“, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka njoftuar se do të udhëtojë për në Maroko, për të marrë pjesë në Forumin MEDays 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




