Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të zhvillojnë këtë të hënë(27 shkurt) takimin e nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Fillimisht, përfaqësuesi i lartë i BE për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime të ndara me liderët e dy vendeve. Ai pritet që të takohet me Kurtin në orën 15:00 i shoqëruar nga Mirosllav Lajçak ndërsa më pas në orën 16:15, pritet të takohet me presidentin serb.

Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, pritet që të mbahet edhe takimi i përbashkët me liderët e dy vendeve. Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiç të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejshme.

Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë