Shendet

Diagnostikohet pacientja e parë që vuan nga ndryshimet klimatike

Një grua kanadeze është bërë pacientja e parë në botë që u diagnostikua se vuan nga ‘ndryshimet klimatike’, pasi pati vështirësi në frymëmarrje pas një vale historike të të nxehtit.

Duke punuar në departamentin e urgjencës të spitalit në British Columbia, doktor Kyle Merritt tha se diagnoza e tij për një grua në të 70-at e saj, ishte një përpjekje për të ngritur zërin në atë që po ndodh.

Shumë njerëz vdiqën në Kanada ndërsa temperaturat u rritën në gati 50 gradë Celsius në qershor, një rekord. Ndërkohë 570 vdekje të papritura ishin ‘të lidhura me nxehtësinë’. Në mbarë botën, OBSH vlerëson se ndryshimet klimatike shkaktojnë më shumë se 150,000 vdekje në vit.

Por pavarësisht statistikave, kjo mendohet të jetë hera e parë që ndryshimi i klimës jepet si shkak vuajtjesh nga një mjek.

“Nëse nuk shikojmë shkakun kryesor dhe thjesht po trajtojmë simptomat, ne do të vazhdojmë të ecim gjithnjë e më shumë prapa”, tha Merritt.

Në këtë rast, gruaja ka astmë, diabet dhe disa dështime të zemrës dhe jeton në një shtëpi pa ajër të kondicionuar.

“Të gjitha problemet e saj shëndetësore janë përkeqësuar”, shpjegoi mjeku.

Temperaturat përvëluese përkeqësuan zjarret në rajon, duke bërë që cilësia e ajrit të bëhej 43 herë më e keqe se nivelet e ‘pranueshme’ gjatë gjithë korrikut dhe gushtit.

“Ne jemi në departamentin e urgjencës, ne kujdesemi për të gjithë, nga më të privilegjuarit tek më të rrezikuarit, ne i shohim të gjithë dhe është e vështirë të shohësh që njerëzit, veçanërisht njerëzit më të cenueshëm në shoqërinë tonë, të preken. Është zhgënjyese”, tha Dr Merritt.

Marina Romanello, një autore e raportit të revistës mjekësore Lancet për vitin 2021 mbi shëndetin dhe ndryshimet klimatike, vlerësoi “vendimin shumë të mençur” të mjekut.

“Unë mendoj se është vërtet e mrekullueshme që mjekët kanë filluar të reagojnë për faktin se ndryshimi i klimës është në të vërtetë një rrezik për shëndetin”, thotë Romanello.

Romanello, hulumtimi i të cilës tregoi se ka një lidhje shumë të ngushtë midis ndryshimeve klimatike dhe shëndetit, shton se “ne kemi shumë pak të dhëna përsa i përket këtij problemi”.

“Ajo që ne po shohim është se në thelb në veriun global ndërgjegjësimi për rreziqet mjedisore po nxitet nga shkenca, ndërsa në jugun global po nxitet nga ndërgjegjësimi brenda komuniteteve”.

Merritt dhe kolegët e tij kanë nisur tashmë një iniciativë të quajtur “Mjekët dhe infermierët për shëndetin e planetit”. Ato po punojnë për të “mbrojtur më mirë shëndetin e njeriut duke mbrojtur planetin”.

Burimi: Euronews. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë