Shendet

Diabetikët të parët për vaksinim kundër Covid, mjeku Toti:  55 për qind me dy doza, në të gjithë vendin 82 mijë të prekur

Gazeta Si – Pacientët diabetikë zënë vendin e parë për shifrat më të larta të vaksinimit ndër ta, në raport me kategoritë e tjera të pacientëve kronikë.

Endokrinologu Florian Toti, kryetar i shoqatës së Diabetit në Shqipëri thotë për Gazetasi.al se referuar të dhënave të raportit lidhur me ndërgjegjësimin për vaksinimin ndaj COVID-19 që u zhvillua nga shoqata në periudhën Dhjetor 2021-Prill 2022 u vu re se deri më 31 Mars 2022 dhe në të dhënat e Our World in Data, në Shqipëri rezultojnë të vaksinuar me dy doza vaksinë anticovid afro 55 për qind e pacientëve diabetikë.

“Nga anketimet, intervistat që kemi kryer në aktivitetet e periudhës Janar-Mars 2022, mbi 75 për qind kanë marrë të paktën një dozë dhe plotësisht të vaksinuar janë 55 për qind. Kurse doza BOOSTER është aplikuar në 30 për qind të personave me diabet”, thotë endokrinologu Florian Toti.

Mjeku endokrinolog Florian Toti.

Po ashtu, edhe familjarët e pacientëve diabetikë, të cilët janë të rriskuar për tu prekur nga diabeti për shkak të trashëgueshmërisë së sëmundjes, janë ndër të parët sa i takon vaksinimit kundër Covid.

“Përsa i takon familjarëve të tyre, shifrat janë pak më të mira se popullata e përgjithshme, përkatësisht 52 dhe 48 për qind kurse doza BOOSTER tek ata është 15 për qind. Ajo që tërheq vëmendjen është se pas takimeve dhe materialeve të shpërndara, të paktën 20 për qind e pacientëve dhe familjarëve kanë pranuar të vaksinohen ose të bëjnë edhe dozën BOOSTER”, tha mjeku Toti.

Diabeti dhe pandemia COVID-19

Për vitin 2022, në vitin e tretë të pandemisë, Shqipëria shënoi rreth 82 mijë të prekur nga diabeti, që marrin trajtim shëndetësor në sistemin publik dhe që futen në kategorinë e pacientëve kronikë.

Kjo shifër rezultoi më e lartë se në vitin 2021 me afro 4 mijë raste të reja, ku një ndër arsyet ishte dhe infektimi nga virusi Covid-19.

“Mbi 40 mijë persona me diabet në Shqipëri i takojnë grup moshës 60-65 vjeç, dhe në qoftë se ne kemi 82 mijë persona me diabet, mbi gjysma e pacientëve janë tek kjo grup moshë”, tha për Gazetasi.al Florion Toti.

Pandemia e Covid-19 ekspozoi më shumë rrezikun e jetës tek pacientët diabetikë, por edhe të tjerë pacientë që u infektuan  nga koronavirus, iu bashkuan listës së diabetikëve.

Bashkë me diagnoza të tjera si kanceri, problemet e zemrës, sëmundjet kronike të mushkërive, edhe pacientët me diabet janë më të prirur të infektohen me Covid-19.

Një raporti i Qendrës për Parandalimin dhe kontrollin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) raportoi për vitin 2021 se diabetikët janë më të prirur të kenë nevojë për hospitalizim, të pranohen në një njësi të kujdesit intensiv, të kenë nevojë për një ventilator për t’i ndihmuar ata të marrin frymë, ose të vdesin.

Të dhënat e hershme të vëzhgimit raportuar për CDC nga janari deri në maj 2020 tregoi se shtrimet në spital nga Covid-19 ishin 6 herë më të larta dhe vdekjet 12 herë më të larta për njerëzit me Covid-19 dhe një gjendje mjekësore si diabeti, sëmundjet e zemrës, ose sëmundje kronike të mushkërive.

Dëshmitë e mbledhura që nga fillimi i pandemisë treguan se:

– Pacientët e shtruar në spital me Covid-19 kishin më shumë gjasa të riktheheshin në spital brenda 2 muajve nga dalja nëse kishin disa sëmundje kronike, të tilla si diabeti ose sëmundjet kronike të veshkave.

– Në mesin e pacientëve të hospitalizuar me komplikime të rënda të Covid-19, 39.7 për qind kishin gjithashtu diabet si një gjendje mjekësore thelbësore.

– Përqindja u rrit në 46.5 për qind për pacientët 50 në 64 vjeç.

– Njerëzit më të rinj se 18 vjeç me Covid-19 kishin deri në 2.5 herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin së fundmi me diabet në muajt pas infektimit sesa ata pa Covid-19 dhe ata që kishin infeksione të tjera respiratore përpara pandemisë.

Endokrinologu Florian Toti thotë se është vendimtare për njerëzit që përjetojnë çdo problem kërcënues për jetën të kërkojnë kujdes urgjent të menjëhershëm, edhe gjatë ngjarjeve të rralla si pandemia.

Për njerëzit me diabet, kjo mund të nënkuptojë të shkojnë në një urgjencë për ndihmë për të parandaluar sheqerin e lartë të pakontrolluar në gjak ose komplikime të tjera serioze.

Mungesa e administrimit të sheqerit në gjak dhe e rutinës së vetë-administrimit, edhe për një kohë të shkurtër, mund të ketë pasoja negative të qëndrueshme për njerëzit me diabet.

Ajo që është vënë re gjithashtu është se pandemia theksoi problemin e vazhdueshëm të pabarazive shëndetësore për disa popullsi.

Për shembull, disa grupe të pakicave racore dhe etnike janë në rrezik më të lartë të komplikimeve të rënda nga Covid-19 për shkak të niveleve më të larta të diabetit.

Në mbarë botën janë 422 milionë njerëz që jetojnë me diabet.

Në Itali janë pothuajse katër milionë raste të diabetit të tipit 2, 300 mijë ato të tipit 1, i ashtuquajturi diabeti i të miturve.

Diabeti është një sëmundje kronike që mund të jetohet, por që ka një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës së pacientëve.

Diabeti është dy lloje, diabeti Tip 1 i cili karakterizohet nga mungesa e prodhimit të insulinës, dhe diabeti Tip 2 i cili shkaktohet nga përdorimi joefektiv i insulinës nga trupi.

Diabeti Tip 2 është më i shpeshtë se diabeti Tip 1 dhe zë 90 për qind të rasteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë