Ana e errët

Dhurata për të dënuarin, një usb që alarmoi burgjet

Një i burgosur i quajtur Ahmet Daguar i ka alarmuar disi autoritetet policore të sigurisë në burgje, të cilat menjëherë sapo kanë zbuluar një usb kanë dyshuar se mos ajo kishte materiale të ndaluara. Dhurata sipas burimeve të Gazetasi.al  ishte fshehur brenda ushqimeve që do ti dorëzoheshin të paraburgosurit Daguar, që kishte kërkuar produkte nga një i   njohuri i tij nga vendet e Lindjes së Mesme i quajtur Motaz Zidan. Burimet e Gazetasi.al sqarojnë se menjëherë sapo pakot ushqimore janë dorëzuar në dedektor ku dhe kontrollohen, ka rezutuar një usb, e cila nga kontrollet e mëpasshme ka shtuar dyshimet e policisë së burgjeve. “Në këtë usb nga kqyrjet e mëpasshme të kërkuara, drejtoria e shërbimit dhe çështjeve të brendshme pranë Ministrisë së Drejtësisë u konstatua se ishin të hedhura këngë në gjuhën arabe dhe po ashtu video në gjuhën arabe. Dhe se nuk kishte asnjë material të dyshimtë” deklarojnë për Gazetasi.al pjesëtarë të policisë së Burgjeve.

Sidoqoftë, në funksion të alarmimit për një usb dhe shqetësimit të autoriteteve të burgjeve janë marrë në pyetje të gjithë oficerët e burgjeve që ndodheshin në turn përgjatë kontrollit të ushqimeve. Polici A.P i thotë kolegëve se ndodhej në shërbim pranë skanerit  kur rreth orës 15.51 i erdhi radha pakove ushqimore që kishin si pritës palestinezin Daguar. “Mbasi u konstatua diçka e dyshimtë në skaner, gjatë prerjes me thikë të specave të mbushur, te njëri prej tyre u gjet një send i   mbështjellë me letër alumini. Mbasi e hapa letrën konstatova brenda një usb në ngjyrë të zezë me mbishkirmin Toshiba 64b. Menjëherë njoftova specialistin e shërbimit si dhe përpilova raportin përkatës”, dëshmoi polici.

Pyetjes së policisë nëse ishte Zidan i pranishëm gjatë kontrollit të dhuratave, polici i burgjeve përgjigjet pohues.

“Ai ishte i pranishëm deri në çastin kur u dorëzuan ushqimet, por në çastin kur po kalonte govata me ushqime në skaner, ai u largua pavarësisht se ne i kërkuam që të qëndronte deri në fund të procedures”, shtoi efektivi. Policia bën me dije se usb dhe ushqimet ju dërguan Daguar nga një i afërm nga Palestina që është përpjekur të fshehë në speca Usb-në me këngë nga vendi i tij. Në vijim të veprimeve për të proceduar mbi zbardhjen e çështjes, agjentët kanë pyetur të gjithë policët që ishin në turn dhe zinxhirin që u njoftua për Usb-në. Po ashtu thuhet se hapi tjetër ishte kqyrja e Usb-së nga frika se mos aty kishte materiale të dyshimta propogande apo me përmbajtje ekstremiste, ku dhe ka konkluduar se nuk përmbante asgjë tjetër përveçse këngëve. Nuk jepen informacione nëse Usb-ja është lejuar më pas ti jepet të paraburgosurit, por fakti që familjari i tij tentoi ta fusë fshehtas për momentin do të kthehet në një çështje penale për akuzën e sendeve të ndaluara në qeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë