Gazeta Si – Një gjest i bukur. Ivan Xhenaro Gatuzo ka lënë gojëhapur punonjësit e klubit të Valencias. Para festave të fundvitit, trajneri italian ka shpenzuar mijëra euro për t’u bërë dhurata pikërisht atyre që punojnë në dhomat e zhveshjes dhe në fushë.
“Jeta më ka dhënë shumë. Më pëlqen të bëj dhurata, nuk më pëlaqen të marr, – ka deklaruar Gatuzo për faqen e klubit spanjoll. – Krishtlindjet për mua janë një festë e madhe. I dua të gjitha festat, por këtë mbi të gjitha, sepse kam pritur gjithmonë dhuratat e babait, nënës dhe të gjithëve në familje. Është diçka që më kujton kohën kur isha i vogël. Në shtëpinë time ishte shumë e rëndësishme”.

Gatuzo përfaqëson një kategori speciale dhe të rrallë njerëzish: atë të sportistëve të pasur dhe të famshëm që janë të lidhur shumë fort me rrënjët e tyre. Për të realizuar ëndërrën e tij ai iku nga Koriliano Kalabro, provincë e Kozencës, që në moshën 13-vjeçare, por lidhja me këtë vend dhe familjen ka qenë më e fortë se kurrë.
Dhe festat, për një që bredh botën si ai, janë rastet më të mira për t’u mbledhur të gjithë nën të njëjtën çati. “Kujtoj që ishim shumë njerëz, të gjithë në një shtëpi të vogël dhe të gjithë të lumtur. Krishtlindje të thjeshta dhe të bukura. Secili përgatiste një pjatë, ishte një atmosferë e jashtëzakonshme”, – është shprehur Gatuzo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




