Gazeta Si – Një sherr i dhunshëm i nisur në 24 gusht 2024 në një lokal në Palasë të Himarës, dyshohet se ka vijuar edhe në Tiranë, ku 6 persona akuzohen se kanë goditur me sende të forta një 48-vjeçar.
Sipas policisë, Adriatik Roshi u dhunua të dielën në ambientet e një berberhaneje në Laprakë. Policia tha se arrestoi Gani Koçekun 24 vjeç dhe Ledio Tusha 31 vjeç, ndërsa në kërkim u shpallën katër persona të tjerë, Roland, Luçiano, Dino dhe Gëzim Koçeku.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar dy armë, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e ngjarjes. Shtetasit Gani Koçeku, 24 vjeç dhe Ledio Tusha, 31 vjeç, u arrestuan në flagrancë.
Sipas burimeve paraprake, 48-vjeçari Roshi është vëzhguar nga dy vëllezërit Gani dhe Roland Koçeku nga një automjet, i cili ishte marrë me qira.
I shpalluri në kërkim Gëzim Koçeku, ka bërë me mjetin e tij hapjen e rrugës për makinën “Audi” të autorëve goditës. Si organizator të dhunës brutale, policia dyshon se janë Luçiano dhe Dino Koçeku të shpallur në kërkim.
I arrestuari Ledio Tusha, rezulton nipi i Luçiano Koçekut, në banesën e të cilit u gjet një maskë, kapele, xhup i zi, veshje të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë dhunës ndaj 48-vjeçarit.
Ngjarja dyshohet se ka lidhje me sherrin në Palasë të ndodhur në 24 gusht të 2024, ku Luçiano Koçeku u dhunua në një lokal nate.
Ndaj dhe rrahja e Roshit sipas policisë mund të jetë si shenjë hakmarrje për ngjarjen e gushtit në jug të Shqipërisë. Megjithatë, policia nuk shprehet nëse Adriatik Roshi ka qenë pjesë e sherrit në Palasë.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”. Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.’, njofton policia.
Gjatë hetimeve, janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një armë zjarri pistoletë, një armë gjahu, dy automjete dhe veshje të dyshuara që autorët kanë përdorur gjatë krimit
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit Ledio Tusha.;
1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit Dino Koçeku.;
2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.